Monday, July 8, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMISi u llogarit pagesa e traut për tunelin e Llogarasë

Si u llogarit pagesa e traut për tunelin e Llogarasë

Tuneli i Llogarasë, një vepër infrastrukturore e një rëndësie të lartë, u inaugurua ditën e sotme me dy premtime, i pari se do të afrojë jugun për cilindo pushues dhe i dyti se nga viti tjetër do të jetë me pagesë.

Ti marrim me radhë. Puna është për t’u përshëndetur. Nga Dukati në Palasë nuk do të duhen më 40 minuta, por 5 minuta për të kaluar. Turistët nuk do të lodhen në qafën e gjatë të Llogarasë, ku pavarësisht pamjeve spektakolare, rruga është cfilitëse. Punëtorët e shërbimit do të udhëtojnë lirshëm. Urgjencat mjekësore do të funksionojnë më shpejt. Vlora do të jetë më afër, Tirana gjithashtu.

(Qafa e Llogarasë)

Por si për të mos prishur traditën e të mos bërit asnjë pune pa lënë një shije të hidhur, qeveria nuk zhgënjeu as këtë herë.

Edhe pse i ndërtuar me paratë e taksapaguesve, pa asnjë formë financimi privat, PPP ose koncesion, ky tunel nga viti i ardhëm do të jetë me pagesë. Ndonëse edhe nëse duhet apo nuk duhet të jetë me pagesë ka vend për diskutim, absurditeti më i madh vjen në pikën kur mëson shifrën se sa do të duhet të paguajnë shqiptarët nga vera tjetër.

Zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku mbrëmjen e djeshme dha këtë shifër në një intervistë për Top Story.

(Intervista ku Belinda Balluku zbulon tarifën e traut për tunelin e Llogarasë)

“Tuneli i Llogarasë është një vepër me pagesë, pasi do të ketë një mirëmbajtje me kosto të larta. Përllogaritet diku të 5 euro, por bëhet fjalë për vitin e ardhshëm, jo për këtë vit”, tha ministrja Balluku.

Pra pesë euro për të kaluar në një tunel të vetëm gjashtë kilometra. Me një krahasim tepër të thjeshtë mund të kuptojmë se abuzimi me këtë shifër është stratosferik.

Ky që shikoni në foton poshtë është tuneli i Kalimashit në Rrugën e Kombit.

(Tunelet e Kalimashit në Rrugën e Kombit)

Është një tunel autostrade me dy tuba, dhe është vetëm 100 metra më i shkurtër se ai i Llogarasë. Megjithatë, e gjithë rruga e Kombit, mbi 100 kilometra, me dy tunele sa ai i Llogarasë, me dhjetra vepra arti e ura të mëdha, ka një tarifë kalimi prej 5 eurosh.

Ky krahasim i thjeshtë midis dy veprave infrastrukturore nxjerr lakuriq abuzimin e qeverisë për të tarifuar me një shifër absurde tunelin e jugut të Shqipërisë.

Një tarifë e tillë e shtrenjtë, ku një hyrje-dalje në portën e jugut do të kushtojë 10 euro, vjen në vazhdën e akuzave ndaj qeverisë se me politikat e saj, me shtytjen për investitorët strategjikë, me izolimin e bizneseve të vogla, po ia rezervon vetëm një klase të pasur të shqiptarëve pjesën më të bukur të bregdetit shqiptar. Edhe kjo tarifë vjen si barriera e radhës për shqiptarin mesatar të pushojë në plazhet jonianë të vendit të tij. 

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME