Skeçi me protestën në Portokalli tallje, reagon Agron Llakaj

I rikthyer në “Portokalli” pas 16 vitesh, Agron Llakaj ka sqaruar se personazhet e interpretuara në skeç nuk kishin si synim të ironizonin apo fyenin qytetarët që marrin pjesë në protesta. Sipas tij, frymëzimi ka ardhur nga figura dhe situata që ishin bërë virale gjatë protestave. “Ato personazhe që ne ngritëm në protestën tonë në ‘Portokalli’ janë personazhe që u bënë virale. U bënë meme po aty në protestë. Edhe me njerëz që kanë abuzuar me protestën duke sjellë skena qesharake. Kjo ka qenë dhe nuk ka asnjë qëllim tjetër”, deklaroi Llakaj për Top Channel.
Ai hodhi poshtë pretendimet se humori i programit kishte për qëllim të nënçmonte protestuesit apo vetë protestën. “Ne nuk shajmë askënd, nuk fyejmë askënd, jo më protestën dhe atë që përfaqëson ajo. Ne jemi artistë të humorit, prodhojmë humor duke përcjellë mesazhe”, u shpreh ai. Për të argumentuar qëndrimin e tij mbi satirën dhe lirinë e shprehjes, Llakaj solli në vëmendje edhe një shprehje të njohur të Konicës: “Ti ke gjithë të drejtën tënde për lirinë që ke, por nuk ke pse të fyhesh nga liria ime”.
Drejtuesi i “Portokallisë” theksoi se programi ka pasur gjithmonë në fokus realitetin shqiptar, duke trajtuar përmes humorit jo vetëm politikën, por edhe fenomenet dhe problematikat sociale. “Ne kemi marrë jetën tonë, Shqipërinë tonë, fenomenet politike e sociale dhe i kemi pasqyruar sipas këndvështrimit tonë. Aty ka qëndrim ndaj mazhorancës, Edi Ramës, opozitës, Sali Berishës”, tha Llakaj, duke nënvizuar se satira nuk synon të pozicionojë programin në krah të një pale politike. Në fund, ai iu drejtua publikut me një mesazh për ta parë humorin si një mënyrë për ta trajtuar realitetin me më shumë sportivitet. “Qeshni, merreni jetën më me sportivitet. Ne nuk jemi një zë kundër rrymës”, përfundoi Agron Llakaj.







