OP/ AN

SMS e gjatë për Ilir Vrenozin

Nga Agim Xhafka – Me Vrenozin kemi qenë banorë të së njëjtës mëhallë në Korçë, të lagjes te stadiumi, e quanim.

Nuk e kam takuar kurrë, por më duket sikur e kam vëlla të vogël, bre.

Sikur jemi rritur në një shtëpi me të. Nuk di pse e dua kaq shumë. Mbase nga që kemi mendime të njëjta, mbase që reagojmë njësoj ndaj një të keqeje, mbase nga që kemi pirë ujë Vithkuqi të dy.

E di, e di, ai ka ku e ku fanca më shumë se unë, e ndjekin Ilirin si mizat mjaltin. Po kjo nuk më xhelozon. Më bën që ta lexoj më shumë e t’i përpij videot e tij sikur shoh NETFLIX përditë, por jo me pagesë, free.

E ndërsa po dëgjoj nga goja e tij, o doktor të dua, o doktor të kam shpirt, o doktor largohu, më erdhi ndër mend një fqinji im.

Që e njeh me siguri dhe Vrenozi. Ai kishte një biçikletë bianchi. Ngjyrë të zezë. Që shkëlqente çdo ditë. Sa e shihnim goja lëng të gjithëve.

E kur ndonjë ditë qemë me fat e bënim xhiro me bianchin hidhnim sytë majtas-djathtas që të na shihte mëhalla. Por ncuk, të gjithë shihnin biçikletën jo ne që rrinim krenarë mbi shalën e saj.

Kaluan vite e bianchi nuk u vjetërua hiç.

Filluan njerëzit të blinin biçikleta të reja kineze, vietnameze, por sytë te bianchi ngelnin.

U prodhuan edhe biçikleta shqiptare, të bukura, të shpejta.

Megjithatë kur rrinin pranë me bianchin ngjanin demode. Dukej sikur bianchi sapo kishte dalë nga fabrika.

Dhe Berisha o Ilir vëllai, është bianchi!

Vërtet ka shumë vite mbi supe, ka plot vite në krye, por biçikletat që sillen rrotull tij janë ose kineze, ose vietnameze, vëlla.

Sapo në krah të tij të shfaqet një bianchi ai do i hipë me vrull biçikletës së tij e do të ikë.

Do të na përshëndesë ty, mua, ata, ato e shumë shpejt do të na marrë malli për doktorin tonë.

Të përqafoj, vëlla! Eh, bir o bir, siç thua ti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Check Also
Close
Back to top button