AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Fermerët në Rroskovec pa mbështetje, investime që shkojnë në humnerë. Investimi në tokë është humbje jete. (foto e video)

Rroskovec – Në fshatrat e Rroskovecit, toka është pasuria e vetme që fermerët kanë. Pas shumë vitesh emigracioni, shumë prej tyre u rikthyen me kursime për të investuar në vendlindje. Por, ajo që ëndërruan si të ardhme të sigurt, sot është kthyer në një histori dështimi.

Një prej tyre është Përparim Kocaqi. Prej 7 vitesh ai ka ngritur sera në fshatin Suk2. Çdo vit ka punuar me shpresën se do të shohë fitim, por çdo vit bëhet më e vështirë. Humbje të mëdha me shalqirin – vetëm një sezon i ka kushtuar 4 milionë lekë. E njëjta histori edhe me kastravecin.

Përparim Kocaqi: “Kam humbur 4 milionë lekë me shalqirin, e njëjta histori me kastravecin. Nuk kemi përfituar asnjë subvencion. Marrin vetëm ata që janë me partinë.”

Ndërsa ai përballet me humbje, përballë serave të tij ngrihen sera të tjera, një hektar të mbjella me speca. Ato i përkasin djalit të xhaxhait të kryebashkiakes së Rroskovecit, Majlinda Bufi, të ngritura me fonde nga programi IPARD, i financuar për të mbështetur fermerët. Banorët e zonës thonë se përfituesit e vërtetë janë vetëm ata që kanë lidhje politike.

Kjo panoramë nuk është e izoluar. E njëjta histori përsëritet edhe në fshatin Suk1, aty ku jeton Dashnor Malka. Ai ka nisur rrugëtimin e tij si fermer me shumë mundime. Fillimisht me një stallë lopësh, më pas me sera ku ka kultivuar domate, kastravecë e bostan. Sot, është përpjekur t’i japë një drejtim të ri duke investuar në rritjen e pulave të detit – ka rreth 500 krerë.

Dashnor Malka: “Kam dështuar disa herë, nuk kam marrë asnjëherë subvencione nga shteti. Nëse dhe këtë radhë dal me humbje, mbyll çdo gjë dhe rikthehem në emigrim.”

Të dy fermerët tregojnë të njëjtin realitet: ata që nuk kanë mbështetje politike, nuk arrijnë të përfitojnë nga fondet dhe subvencionet. Ndërsa ata që janë pranë pushtetit, marrin investime të mëdha, duke ndërtuar sera moderne dhe duke pasur një siguri që fermerët e zakonshëm nuk e njohin.

Kjo padrejtësi po shuan shpresën e qindra fermerëve në Rroskovec. Tokat mbeten të punuara me mund, por pa fitim. Investimet humbasin, borxhet shtohen, dhe alternativa e vetme mbetet emigracioni.

Në një vend ku bujqësia përbën burimin kryesor të të ardhurave për familjet e zonës, mungesa e mbështetjes reale po i shtyn njerëzit larg fshatit, larg tokës, larg Shqipërisë. Dhe kjo është drama më e madhe: jo vetëm humbja e investimeve, por humbja e njerëzve.  /ALB365/Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button