SPORT

Sylvinho: Përgjegjësia e imja për Manajn, Letonia rival i vështirë!

Shqipëria do të përballet të martën me Letoninë në transfertë, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026. Para kësaj sfide të rëndësishme, trajneri i kuqezinjve, Sylvinho, doli në konferencë për shtyp, ku foli për gjendjen e skuadrës dhe rëndësinë e përballjes.

“Pas një ndeshjeje si ajo me Serbinë, rikuperimi është gjithmonë sfidues,” tha Sylvinho. “E dyta është gjithmonë më e vështirë, sidomos për aspektin fizik dhe rigjallërimin muskulor. Një ditë më shumë do na ndihmonte, por kjo është e njëjtë për të gjithë. Sot kemi stërvitje të lehtë dhe do bisedoj me lojtarët, ndoshta nesër mund të bëjmë disa rregullime.”

Trajneri theksoi se ka në dispozicion një grup të gjerë lojtarësh cilësorë që i japin fleksibilitet në zgjedhje.

“Kemi shumë opsione – Muçi, Uzuni, Berisha, Ramadani, Asani, Hoxha, Broja, Daku… Kjo na ndihmon për të menaxhuar më mirë ngarkesat dhe për të vendosur në bazë të formës dhe nevojave taktike.”

I ndalur te sulmuesi Armando Manaj, i cili nuk ishte zgjedhja për të gjuajtur penalltinë ndaj Serbisë, Sylvinho u tregua i qartë: “Manaj ka eksperiencë, është titullar i kësaj skuadre, e njoh që nga koha te Interi. Ka personalitet, por vendimet i marr unë. U thashë të gjithëve se zgjedhja për penalltinë ishte përgjegjësia ime. Ai ka cilësitë e duhura.”

Përballja me Letoninë konsiderohet jetike në garën për kualifikim, por Sylvinho nuk e konsideroi domosdoshmërisht vendimtare: “Është një ndeshje shumë e rëndësishme, si për ne ashtu edhe për ta. A është vendimtare? Ndoshta po, ndoshta jo. Por duhet të marrim pikët maksimale sepse koha po kalon.”

Ai vlerësoi gjithashtu përparimin e skuadrës shqiptare: “Sot kemi një ekip shumë më të pjekur dhe me më shumë eksperiencë se dy vite më parë.”

Sa i përket kundërshtarit, Sylvinho paralajmëroi për një Letoni fizike dhe të mirëorganizuar: “Letonia është shumë e fortë fizikisht, ka lojtarë të gjatë, që vrapojnë shumë dhe mund të ndryshojnë skema gjatë lojës. Kanë trajner italian, Nikolato, i cili punon me shumë disiplinë dhe i ka dhënë skuadrës strukturë të mirë në të dy fazat.”

Shqipëria do të kërkojë fitoren në Riga për të vazhduar me ritmin e duhur në rrugën drejt Botërorit 2026.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button