Si TikTok po rrëmben miliona shikime

Në një botë ku çdo ditë shpërthejnë video virale të komedianëve me miliona shikime në TikTok apo YouTube, shumëkush mendon se televizionit i ka perënduar dielli për artistët e humorit. Por komediani Josh Johnson mendon ndryshe.
I njohur për performancat e tij që përhapen me shpejtësi në rrjete sociale, Johnson është gjithashtu një nga figurat kryesore të The Daily Show, një ndër emisionet më të njohura të humorit në SHBA. Së fundmi, ai është emëruar edhe si një nga bashkë-prezantuesit e programit.
Në një intervistë me gazetaren Katty Kay, Johnson shpjegon se edhe pse rrjetet sociale kanë demokratizuar skenën e komedisë, televizioni ende mban peshë të madhe në karrierën e një komediani. “Platformat tradicionale kanë ende ndikim të madh. Ne ende kemi nevojë për ‘gjëra të mëdha’ që na afirmojnë”, – shprehet ai.
Televizioni dhe rrjetet sociale: një simbiozë
Sipas Johnson, ndryshimi i madh është se sot komedianët nuk kanë nevojë për një “miratim” nga televizionet për të depërtuar te publiku. Sot është një model drejtëpërdrejt me konsumatorin. Por kjo nuk do të thotë se TV ka humbur vlerën.
“Është e vërtetë që rrjetet sociale të japin audiencë më të gjerë e më të shpejtë, por nuk mund ta nënvlerësosh efektin e një emisioni televiziv,” thotë ai. “Për më tepër, shumë nga emrat e mëdhenj të komedisë mbeten të tillë sepse ndërtuan karrierën mbi bazën e një platforme të qëndrueshme, si TV-ja.”
Komuniteti, jo algoritmi
Për Johnson, sekreti nuk është ndjekja e algoritmeve, por ndërtimi i komunitetit — si online, ashtu edhe në skenë. Ai është i qartë për këtë: audienca që të ndjek nga afër, në një show të drejtpërdrejtë, është më e vlefshme se miliona shikime të rastësishme në rrjet.
“Unë i lexoj komentet online, por nuk lejoj që ato të më ndikojnë shumë. Mësoj më shumë nga një përqafim pas shfaqjes, sesa nga 100 komente në TikTok.”
Këmbëngulja në vend të frikës
Kur u pyet nëse e tremb zhvillimi i shpejtë i teknologjisë, përfshirë inteligjencën artificiale, Johnson dha një përgjigje simbolike: “Të kesh frikë nga AI sa të mos e nisësh fare karrierën, është njësoj si të duash të ndërtosh një tavolinë, por të rrish duke parë çekiçin dhe të thuash: ‘Po ai e bën më mirë se unë!’ Po çekiçi ka nevojë për ty që të bëjë punë!”
Ai shton se këmbëngulja është çelësi i suksesit, dhe se suksesi nuk vjen vetëm përmes viralitetit apo fatit, por duke punuar në heshtje, në skenë dhe pas saj.











