Telashe për Elon Musk, krahu i tij i djathtë largohet nga Tesla

Telashet për Elon Musk duket se nuk kanë fund. Sipas asaj që raporton La Repubblica, krahu i tij i djathtë në Tesla, Omead Afshar, një nga bashkëpunëtorët dhe njerëzit kryesorë të besuar të miliarderit amerikan, është larguar nga posti i tij një vit pasi u ngrit në detyrë si drejtues i shitjeve dhe operacioneve në Amerikën e Veriut dhe Evropë. Arsyet e këtij vendimi janë të paqarta.
Ndërkohë Jenna Ferrua, drejtoreshë e Burimeve Njerëzore për Amerikën e Veriut, gjithashtu ka dhënë dorëheqjen. Nuk është mister që largimi i Afshar vjen në një kohë të vështirë për prodhuesin e makinave, i cili po përballet me një rënie të ndjeshme të shitjeve pas konkurrencës në rritje, veçanërisht nga Kina dhe me bojkotin e konsumatorëve të shkaktuar nga mbështetja e Musk për Donald Trump.
Duke folur për shitjet, të dhënat e fundit të publikuara nga Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automobilave (ACEA) tregojnë një rënie për markën amerikane në Kontinentin e Vjetër. Majin e kaluar, Tesla regjistroi 13 mijë e 863 automjete, një rënie prej 27.9% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, me një pjesë tregu që ra në 1.2% nga 1.8% e mëparshme. Në pesë muajt e parë të vitit, rënia e regjistrimeve ishte edhe më e theksuar: minus 37.1%, krahasuar me periudhën janar-maj 2024. Dhe pjesa e tregut ra në 1.3% nga 2.1%.
Megjithatë ndër të tjera, Musk po përballet me fenomenin Xiaomi, i cili në Kinë prezantoi YU7-in e tij, një SUV të shitur me një çmim 4% më të ulët se Model Y i Teslës: 253 mijë e 500 juanë, pak më shumë se 35 mijë dollarë.
Ky veprim është një konfirmim i mëtejshëm i konkurrencës së ashpër të Pekinit në tregun e automjeteve elektrike. Xiaomi ka mbledhur 200 mijë porosi në vetëm tre minuta dhe është i disponueshëm në tre versione: Standard, Pro dhe Max, të cilat marrin emrat e telefonave inteligjentë, biznesi kryesor i grupit të Pekinit.
Për momentin, dërgesat në Republikën Popullore do të fillojnë në fund të qershorit, por nuk është e qartë se kur makina do të jetë në dispozicion në Evropë. Në Bursën e Hong Kongut, aksioni u rrit me 8% në seancën e sotme.