Të burgosurit me rrezikshmëri transferohen nga Durrësi në Fier (video)

Mbrëmjen e së mërkurës ka nisur transferimi i personave me rrezikshmëri të lartë nga burgu i Durrësit drejt burgut të sigurisë së lartë në Fier. Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka ndarë pamje në internet teksa shihet një autokolonë e gjatë me makina policie.
Kujtojmë që lëvizja e të dënuarve dhe paraburgosurve me rrezikshmëri të lartë vjen dy ditë pas ngjarjes së rëndë, arratisjes së Altin Ndocit, i cili teksa ndodhej në spital për vizitë mjekësore, iu iku policëve dhe aktualisht ndodhet në arrati.
Gjatë së martës Ministri i Drejtësisë shkarkoi drejtorin e burgut të Durrësit ndërsa zinxhiri komandues i këtij institucioni u arrestua me urdhër të prokurorisë.
Po kështu Lamallari kërkoi transferim të personave me rrezikshmëri të lartë dhe urdhëroi Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të shpeshtojë kontrollet në të gjitha burgjet e vendit për të parandaluar futjen dhe mbajtjen e sendeve të paligjshme në qeli dhe cdo tentativë për thyrje të sigurisë.
Kujtojmë që në burgun e Fierit ndodhen edhe disa nga personazhet vip të politikës si Erion Veliaj, Ilir Beqaj, Alqi Bllako etj.









