Tërheqja e amerikanëve/ SPAK në krizë identiteti, reagon BE

Kur presidenti i SHBA, Donald Trump ndali ndihmat për SPAK, ai e futi institucionin në një krizë të vërtetë identitetit. SPAK supozohet të ishte institucioni më i rëndësishëm i reformës në drejtësi të miratuar nën presionin e fortë të ambadadës amerikane; një grup prokurorësh dhe agjentësh të posaçëm me kompetenca dhe burime financiare të mjaftueshme për të realizuar ndjekjen penale ndaj politikanëve të korruptuar, pavarësisht kahjes politike.
Por në vend se ta ndërtonin pavarësinë e institucionit përmes punës, bazuar strikt mbi ligje dhe fakte, prokurorët e SPAK zgjodhën një rruge më të shkurtër: atë të propagandës, sikur dosjet kishin një prapaskenë të përhershme amerikane; sikur pas çdo hetimi fshihej një urdhër nga Uashingtoni dhe sikur për çdo arrestim, diku përtej Atlantikut, gjendej një justifikim.
Për këtë arsye, kur Donald Trump firmosi ndaljen e financimit për disa programe ndihmëse në të gjithë botën, përfshirë edhe për SPAK-un “amerikan” të Shqipërisë, u krijua një boshllëk në të gjithë platformën e propagandës ku punoi dhe veproi ky institucion.
Këtë krizë identiteti të SPAK-ut “amerikan”, sapo e ka mbushur delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, që ka reaguar pas ngrirjes së fondeve amerikane në vendin tonë duke siguruar se SPAK do të ketë në të ardhmen, mbështetjen europiane.
“Kemi marrë dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re”, thuhet në njoftimin e delegacionit të BE-së.
Bashkimi Europian siguron se ashtu siç ka bërë deri tani, nuk do ta lërë jetime prokurorinë e posaçme, por do të vazhdojë të kontribuojë me para.
Me pak fjalë, nëse deri dje thuhej se pas SPAK-ut ishin amerikanët, nga sot e tutje do të thuhet se pas prokurorëve speciale janë europianët, sepse këta do të vazhdojnë ta financojnë.
Urojmë që gjithçka të shkojë mirë brenda Bashkimit Europian, si shpresa e fundit për një SPAK të drejtë dhe të pavarur. Përndryshe, nëse ndodh që edhe Bashkimi Europian të tërhiqet një ditë nga ndihma financiare, ky SPAK rrezikon të dalë siç është në të vërtetë, i krijuar nga shqiptarët, për shqiptarët, me shqiptarët.
Lexoni më poshtë reagimin e Delegacionit të BE në Shqipëri:
“Kemi marrë dijeni për njoftimin e bërë nga Presidenti Trump për të pezulluar përkohësisht të gjitha programet e ndihmës së huaj të SHBA-së për 90 ditë në pritje të rishikimeve nga administrata e re.
* BE-ja ka qenë në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi dhe është e vendosur të vazhdojë ta mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri.
* Që kur sistemi i drejtësisë iu nënshtrua një reforme thelbësore në vitin 2016, BE-ja e ka intensifikuar ndjeshëm këtë mbështetje. Kjo përfshinte mbështetje buxhetore dhe mbi 50 milionë euro asistencë teknike, duke synuar veçanërisht ndërtimin e institucioneve.
* Burime të tjera të rëndësishme parashikohen për ta vazhduar këtë mbështetje pa probleme, përfshirë përmes Mekanizmit të Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor.
* Roli i SPAK-ut dhe pavarësia e tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e çështjeve komplekse të korrupsionit është i një rëndësie kyçe. BE-ja e ka mbështetur SPAK-un që nga themelimi i tij nëpërmjet asistencës teknike të dedikuar në kuadër të projekteve EU4LEA dhe EU4 FOCAL me buxhet të përgjithshëm mbi 8 milionë euro.
* SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme, duke kontribuar në përpjekjet e përgjithshme të Shqipërisë për të krijuar një historik të besueshëm në luftën kundër krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë.”