AKTUALITETEKONOMI

‘Thahet’ vaji i ullirit, ulje prodhimi, rritje çmimesh, frenim eksporti

Thhatësira, mungesa e mekanizimit dhe kostot e larta po çojnë këtë vit drejt rënies deri në 50% të prodhimit të ullirit krahasuar me vjet. Çmimet e vajit të ullirit për grumbullim janë rritur nga 11 deri në 56% nga mungesa e prodhimit. Fermerët kërkojnë subvencione për mekanizim dhe ujitje, ndërsa përpunuesit barazim të TVSH-së në zero, ulje të kostove të analizave përmes laboratorëve shtetërorë.

Hamit Boja, fermer nga fshati Galigat i Gramshit, një zonë e njohur për prodhimin e perimeve, zotëron një parcelë me rreth 360 rrënjë ullinj.

Ai thotë se para dy vitesh ka mbledhur rreth 26 kv ullinj, ndërsa vitet e fundit prodhimi ka rënë ndjeshëm.

Sivjet, Hamiti ka marrë vetëm 3,5 kv ullinj nga të cilët arriti të nxirrte 50 litra vaj ulliri vetëm për konsum personal.

“Nuk kam arritur të marr as 10% të prodhimit të dy viteve më parë. Edhe vjet edhe sivjet kemi dalë shumë dobët.

Vjet arsyeja ishte cikli i bimës, ndërsa sivjet na dëmtoi moti i thatë gjatë verës dhe mungesa e shërbimeve të mekanizuara”, shprehet Hamiti.

Ai tregon se çdo punë në ullishte bëhet ende me krahë, ndërsa vjelja e ullinjve kryhet manualisht ose me punëtorë që paguhen 3,000–4,000 lekë/dita. Për këtë arsye, pa subvencione për mekanizim, sipas tij është e pamundur të rritet prodhimi.

“Do të vazhdoj t’i kryej shërbimet sa mundem, por nuk parashikoj se si do të ndikojë thatësira në vitin e ardhshëm të prodhimit. Pa ndihmë për mekanizimin, është e pamundur të përmirësohet situata”, përfundon fermeri.

Në zonën e Elbasanit, në tërësi prodhimi i ullinjve sivjet është në rënie, sipas Agron Çakallit, drejtues i Federatës Bujqësore Elbasan (F.B.E), që prej 25 vitesh kryen aktivitet, si pikë grumbullimi dhe përpunimi të vajit të ullirit, për ullishtat e bashkuara të 100 fermerëve të zonës.

“Sivjet, në tërësi, prodhimi i ullinjve është në rënie krahasuar me vitin paraardhës. Për disa fermerë, rënia e prodhimit është shfaqur e lartë, për të tjerë, pakësimi i prodhimit luhatet në vlerat e 30 – 40 deri në 50%.

Në zonën administrative të Shirgjanit dhe në katër njësitë e tjera administrative të Elbasanit deri tani rezulton se prodhimi është ulur nën 50% krahasuar me vitin paraardhës”.

Shkaqet kryesore të rënies së prodhimit, sipas tij, janë kushtet atmosferike, sidomos thatësira që mbizotëroi gjatë stinës së verës dhe cikli biologjik i bimës.

Shërbimet e fermerëve ndaj ullishtave, edhe pse me vështirësi, nuk kanë munguar, por drejtuesi i Federatës Bujqësore të Elbasanit, zoti Çakalli nënvizon se mungesa e mekanizimit të procesit mbetet një tjetër faktor që pengon në shtimin e prodhimit.

Situata me prodhimin e ullinjve është e ngjashme edhe në zona të tjera të Shqipërisë.

Ylli Hajdini, drejtuesi i fabrikës së grumbullimit dhe përpunimit të vajit të ullirit “S.E.D – Borshi” pohoi se në disa zona të Jugut, përfshirë fshatrat, si: Borshi, Lukova, Piqeras etj., prodhimi i ullinjve deri tani rezulton deri 50% më pak krahasuar me vitin e kaluar.

Arsyet

Zoti Hajdini pohon se thatësira e motit ka ndikuar më tepër në rënien e prodhimit te rrënjët e vjetra, ndërsa te parcelat e ullishtave të mbjella me rrënjë, pakësimi i prodhimit është ndikuar nga rënia e shërbimeve të fermerëve dhe mungesa e mekanizimit të të punuarit të tokës.

“Në parcelat e ullishtave mungojnë kanalet vaditëse. Fermerët nuk kanë ujë për vaditje dhe ky mbetet një nga problemet kryesore që kërkon zgjidhje për të ruajtur prodhimin. Përveç mungesës së ujit, toka në ullishte vijon të mos punohet me makineri.

Mungesa e mekanizimit, e përforcuar edhe nga fragmentimi i lartë i parcelave, pengon kryerjen e shërbimeve në kohë.

Edhe mbledhja e ullinjve kryhet ende me dorë, pasi fermerëve u mungojnë pajisjet mekanike dhe subvencionet për të investuar në to.

Këta janë faktorët kryesorë që po ndikojnë në rënien e prodhimit të ullinjve në shumë zona të vendit”, thotë z. Hajdini.

Grumbullues dhe përpunues të tjerë të ullirit për zonat e Beratit dhe Elbasanit pohuan gjithashtu se prodhimi i ullirit si kokërr për konsum të drejtpërdrejtë, ashtu edhe për përpunim në vaj, rezulton më i ulët sesa në 2024. Deri në fund të sezonit, pritet që sasia e grumbulluar e ullinjve në Berat të jetë 30 deri në 40% më pak.

Kastrijot Çuedari, përpunues nga Berati, shpjegoi më herët se rënia e prodhimit u ndikua veçanërisht nga temperaturat e larta gjatë verës, të cilat u shtrinë edhe në vjeshtë, duke ndikuar negativisht në zhvillimin e fryteve.

Në zonën e Cakranit, sipas grumbulluesit Taulant Musaraj, prodhimi i ullinjve rezulton 40 deri në 50% më i ulët krahasuar me sezonin tetor-nëntor 2024, për të njëjtat arsye klimaterike.

Në gati tri dekada, sipas të dhënave të INSTAT, nga viti 1998 deri në vitin 2024, rezulton se ulliri ka pasur luhatje të ndjeshme, si në prodhim dhe në rendiment.

Në këtë periudhë, sasia më e lartë e prodhimit të ullinjve u arrit në vitin 2022, me një sasi prej 157,7 mijë tonë ullinj apo 43% shumë se viti paraardhës. Rendimenti i prodhimit ishte 17.2 kv/ha apo 4.7 kv për ha më shumë sesa në 2021.

Përveç 2022, sasia e lartë e prodhimit të ullinjve është arritur edhe në 2012, sidomos pas masave për subvencione të marra nga qeveria nga viti 2009 deri në vitin 2013. Në 2012 u prodhuan 108 mijë tonë ullinj, me rritje 65% krahasuar me 2011.

Në vitin 2023, sasia e prodhuar e ullinjve arriti në 117,6 tonë ullinj. Krahasuar me 2022, prodhimi i ullinjve ra 25%. Rënie shënoi edhe rendimenti i prodhimit me 4.8 kv për ha në 2023, në raport me vitin 2022.

Në vitin 2024, sipas të dhënave të INSTAT, u prodhuan 146,7 mijë tonë ullinj. Krahasuar me 2023, sasia e prodhimit u rrit rreth 25%. Në 2024, rendimenti i prodhimit të ullirit arriti 15.2 kv/ha. Në raport me 2023, rendimenti ishte me rënie 2.8 kv/ha.

Sa vaj ulliri u prodhua në vitin 2024

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2024, prodhimi i vajit të ullirit ka arritur në 35,6 mijë tonë. Kjo përfaqëson një rritje prej 26% krahasuar me vitin e kaluar.

Kjo është sasia më e lartë e prodhuar në 16 vitet e fundit, që nga viti 2009 deri në 2024.

Fermerët dhe përpunuesit parashikojnë që sasia e vajit të ullirit të prodhuar të jetë me rënie të lartë, nga pakësimi i prodhimit të ullinjve.

Rënia e prodhimit po ndikon edhe në rritjen e çmimit të grumbullimit të vajit për fermerët e zonës së Elbasanit deri 11% më shtrenjtë sesa vjet.

F.B.E prej 12 vitesh grumbullon vajin ekstra të virgjër nga fermerët. Vitin e kaluar, çmimi mesatar i grumbullimit varionte nga 620 deri në 630 lekë për litër, pra nën kufirin prej 650 lekësh.

Ndërsa këtë vit, çmimi ka arritur në 700 lekë për litër ose edhe më lart, kryesisht për shkak të rënies së prodhimit.

Sipas Agron Çakallit, kostot e prodhimit për fermerët vijojnë të jenë të larta për shkak të mungesës së mekanizimit të ullishtave dhe mungesës së subvencioneve për prodhimin e vajit të ullirit.

Ai thekson se fermerët kanë nevojë për kredi të buta ose kredi me interes 0%, sepse pa mbështetje financiare është e vështirë të ulet çmimi i grumbullimit.

“Për sa kohë puna në ullishte kryhet ende me mjete tradicionale me kazmë, lopatë, krehër dhe me dorë, kostoja e prodhimit do të mbetet e lartë. Edhe fuqia punëtore ka një kosto të konsiderueshme, duke shtuar presionin mbi çmimin përfundimtar të vajit”, pohon ai.

Ndryshe nga zonat e Elbasanit, në Jug, Ylli Hajdini nga fabrika e përpunimit të vajit Borsh, tha se vaji i ullirit i prodhuar nga varieteti i ullirit “Kalinjot” po kërkohet me çmim 1,000 lekë për litër, kundrejt çmimit prej 600 deri 650 lekë për litër që u grumbullua vitin e kaluar.

Krahasuar me vjet, çmimi i vajit të ullirit për grumbullim është rritur deri 54%.

“Çmimi i vajit të ullirit për varietetin ‘Kalinjot’, që mbizotëron në zonat e Jugut, është shumë i lartë. Fermerët kërkojnë një çmim prej 1,000 lekë për litër, gjë që nuk mundëson grumbullimin e vajit për shitje.

Pra deri tani nuk kemi realizuar grumbullime, duke qenë në pritje të një rënieje të mundshme të çmimit.

Me këtë nivel çmimi, duke i shtuar shpenzimet e ambalazhit (përfshirë qelqin, etiketat, tapat etj.) dhe marzhin e fitimit, kostoja e prodhimit të një litri vaji të ambalazhuar arrin në 1,400–1,500 lekë për litër.

Ky është një çmim i papërballueshëm jo vetëm për fuqinë blerëse vendase, por edhe për eksport, duke e vështirësuar seriozisht aktivitetin tonë si përpunues.

Ndërsa në Greqi dhe Spanjë, vaji i ullirit për grumbullim, po shitet prej fermerit me çmim nën 5 euro për litër.

Sivjet është regjistruar shtrenjtim edhe në çmimin e ullirit kokërr, që përforcon presionin mbi grumbullimin dhe përpunimin e vajit”, nënvizon z. Hajdini.

Ai renditi një sërë arsyesh pse prodhimi vendas nuk arrin të konkurrojë fqinjët.

Sipas tij, kostot e larta të prodhimit janë jo vetëm për shkak të pagave të larta për punonjësit, por edhe nga mekanizimi i ulët që nuk nxit rritjen e rendimentit, mungesa e subvencioneve për çdo litër vaj të prodhuar nga fermeri, siç është në Greqi, ku shteti subvencionin fermerin 1 euro për litër dhe nga niveli i lartë informalitetit të shitjeve në vend.

Vijon rënia e eksporteve të vajit të ullirit

Sipas dhënave të Doganave, në muajt janar-shtator u eksportua një sasi prej rreth 670 mijë kg vaj ulliri. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, eksportet janë ulur rreth 71%.

Por rënia e eksporteve të vajit të ullirit ka nisur që në vitin 2024, veçanërisht në muajt tetor-dhjetor, periudhë kur niveli i eksporteve të vajit arrin në sasinë e 17,4 mijë kg, më e ulët se në vitin 2020 të pandemisë së Covid-19 kur u eksportua një sasi prej 28 mijë kg.

Në total, për 2024, sipas të dhënave të Doganave u eksportua një sasi prej 2,3 mln kg vaj ulliri. Krahasuar me 2023, eksportet kanë rënë rreth 62%. Në vlerë, për 2024-n, tkurrja e eksporteve është rreth 44%.

Numri i operatorëve eksportues për 2024 ishin 41, më së shumti grumbulluese dhe eksportuese, përfshirë edhe persona fizikë.

Përpunuesit pohojnë se vazhdojnë të eksportojnë vaj në vendet me mungesë prodhimi, por sasia e eksportuar mbetet e ulët, për shkak të mungesës së konkurrueshmërisë së çmimit.

“Prej dy vitesh, çmimi i vajit të ullirit te ne është më i lartë se ai i tregut rajonal. Pavarësisht mungesës së konkurrueshmërisë, ne e kemi shitur vajin dhe sasia e vogël që kemi të grumbulluar është e gjitha e rezervuar për eksport. Megjithatë, krahasuar me vendet fqinje, çmimet tona mbeten dukshëm më të larta.

Dikur kemi pasur tregti të qëndrueshme me Greqinë, por prej dy vitesh nuk eksportohet më vaj ulliri atje, pasi çmimi në tregun grek rezulton më i ulët se sa në vendin tonë. Edhe blerësit italianë nuk po vijnë më, sepse çmimi i vajit në Itali është më i lirë.

Aktualisht, ne eksportojmë kryesisht në vendet e Europës Qendrore, si Gjermania, Polonia dhe Hungaria, shtete me mungesë prodhimi. Në këto tregje kemi arritur të krijojmë bashkëpunime të qëndrueshme me disa tregtarë.

Kërkesa për vaj është e qëndrueshme edhe në tregun e brendshëm. Por konsumatorët vendas kërkojnë vaj ekstra të virgjër, me çmim më të ulët.

Duke përfshirë koston e ambalazhimit, shishet e qelqit, etiketat dhe tapën, çmimi final për një litër vaj të ambalazhuar arrin në 10 euro. Me këtë çmim, fuqia blerëse në tregun vendas është shumë e ulët”, shprehet Agron Çakalli drejtuesi i F.B.E.

Z. Çakalli thotë se do të vijojë të grumbullojë vaj ekstra të virgjër në sasitë e vitit të kaluar, për shkak të garancive të shitjeve që i jep eksporti, teksa për tregun vendas, shitja e vajit mbetet e paleverdishme nga kërkesa e konsumatorit për produkt me çmime të lira.

Ai thotë se në shtëpitë e fermerëve ka ende vaj stok të pashitur të prodhuar vjet, kjo pasi vaji nuk u grumbullua prej tyre nga paleverdishmëria e çmimit.

Për janar-shtator katërfishohen importet e vajit të ullirit

Ndryshe nga ecuria e eksporteve të vajit të ullirit, importet kanë shënuar rritje të ndjeshme.

Në periudhën janar-shtator 2025, sipas të dhënave të Doganave, u importuan një sasi prej 183,3 mijë kg vaj ulliri. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, sasia e vajit të importuar u rrit rreth 325%.

Rritje për importet pati edhe për 2024. Në total, në vitin 2024, u importuan një sasi prej 419 mijë kg vaj ulliri, sasia më e lartë e importuar pas vitit 2020. Krahasuar me 2023, importet janë rritur 10 herë më tepër.

Nga të dhënat e Doganave rezulton se për 2024 ishin 52 operatorë që importuan vaj ulliri. Shumica e operatorëve importues janë rrjete supermarketesh dhe distributorë ushqimorë.

Prodhuesit pohojnë se shtimi i importeve të vajit të ullirit prej supermarketeve vijon të nxitet nga çmimi më i favorshëm i vajit të ullirit që ofrohet jashtë dhe nga rënia e euros.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button