Pëlqehet shumë nga trajneri, klubi anglez në ‘sulm’ për Armando Brojën
West Ham duket se e ka shumë seriozisht me Armando Brojën. Klubi anglez po punon me hapa të shpejtë për të arritur akordin me Chelsean dhe lojtarin shqiptar.
Për shërbimet e djaloshit nga Kopliku interesohen shumë skuadra të mëdha. Trajneri i Evertonit, Frank Lampard thuhet se është i prirur për ta transferuar Brojën, me Southampton gjithashtu që ka shfaqur një dëshirë për ta marrë për një tjetër periudhë huazimi. Disa klube italiane po përfliten gjithashtu, me skuadra si Napoli, Milan dhe Inter, të gjitha duke e ndjekur.
West Ham tani i është bashkuar kësaj liste të gjatë të admiruesve, por ndryshe nga skuadrat e tjera, David Moyes, trajneri i “The Hammers” dëshiron ta blejë përfundimisht kartonin e sulmuesit shqiptar, që është në pronësi të Chelseat dhe ka kërkuar nga drejtuesit që gjithçka të mbyllet sa më shpejt.
Moyes është një admirues i madh i sulmuesit kuqezi dhe beson se ai ka potencial të madh për t’u zhvilluar.
Broja shënoi nëntë gola nga 38 ndeshje në të gjitha kompeticionet për “Shenjtorët” në sezonin 2021-22, gjashtë prej të cilave në Premier League.
Ai ka një kontratë me Chelsean, të nënshkruar në korrik të vitit të kaluar, e cila zgjat deri në verën e vitit 2026.