Tregolëshi i Diallo në 10′ e fundit përmbys Southampton: fitojnë United e Brighton
Raundi i mesjavës në Premier League i sjell fat Manchester United: Djajtë e Kuq mposhtin 3-1 me përmbysje Southampton në ndeshjen e vlefshme për javën e 21 e kthehen të shijojnë fitoren në kampionat pas më shumë se një muaji nga hera e fundit. Autogoli i Ugarte (43’) futi në telashe Amorim, përmbysja erdhi mes minutës 82’ e 94’ me një tregolësh të një super Diallo. Brighton mposht ndërkohë 2-0 Ipswich.
MANCHESTER UNITED-SOUTHAMPTON 3-1
Manchester United rikthehet te fitorja në kampionat pas më shumë se një muaji, duke triumfuar 3-1 ndaj Southampton në Old Trafford. Ekipi i drejtuar nga Ruben Amorim vuajti në pjesën e parë, me një autogol të pafat të Ugarte në minutën e 43-të që i dha avantazhin Southampton. Në pjesën e dytë, “Djajtë e Kuq” reaguan fuqishëm falë një super Amad Diallo, i cili realizoi një hat-trick të vonshëm (82’, 90’, 94’) për të përmbysur rezultatin dhe për t’i dhënë United tre pikë të çmuara.
Manchester United ngjitet kështu në vendin e 12-të me 26 pikë, ndërsa Southampton mbetet në fund të tabelës me vetëm 6 pikë pas 21 javësh.
IPSWICH-BRIGHTON 0-2
Në një tjetër ndeshje të Premier League, Brighton siguroi një fitore bindëse 2-0 ndaj Ipswich në Portman Road. Mitoma ishte protagonisti kryesor për “Seagulls”, duke shënuar golin e parë në minutën e 59-të pas një pasimi të O’Riley. Golin e dytë dhe të sigurisë e realizoi Rutter në minutën e 82-të.
Me këtë fitore, Brighton ngjitet në vendin e 9-të me 31 pikë, ndërsa Ipswich mbetet në zonën e rënies nga kategoria, në vendin e tretë nga fundi me 16 pikë.