Turqia po mban frymën teksa pret rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Tashmë janë numëruar gati 90% e qendrave të votimit dhe dy rivalët janë kokë më kokë. Pikërisht kur po numërohen votat e fundit ka një kaos në dhënien e rezultateve.
Agjencia ANKA (foto lart) i jep kreut të shtetit në detyrë Rexhep Tajip Erdogan vetëm 50.76% të votave ndërsa kundërshtari i tij, Kemal Kiliçdaroglu ka 49.24% të votave.
Ndërsa Agjencia Anadolu raporton shifra pak më të larta për Erdogan për të cilin thotë se ka 52.7% të votave ndërsa Kiliçdaroglu numëron 47.28%.
Është pak e paqartë se si do të shkojë deri në votat e fundit. Para pak çastesh ka dalë në një konferencë për shtyp në selinë partisë së opozitës, CHP zëdhënësi Faik Oztrak. Ai tha se po zhvillohet një garë mjaft e ngushtë dhe shumë konkurruese. “Për momentin, duket se kemi një votë në çdo dy persona” – tha ai.
Oztrak tha se pala e presidentit kishte filluar tashmë një operacion manipulimesh, por ai u zotua se kampi i Kilicdaroglu do të siguronte që çdo parregullsi do të parandalohej nga “ushtria e tij e vullnetarëve”. Më pas ai e paralajmëroi Erdoganin që të mos shpallte fitoren: “Mos u mundoni të turbulloni ujërat me fjalime nga ballkoni” – tha zëdhënësi.
Pjesëmarrja ishte pak më shumë se 84%. Në raundin e parë ishte 88%.