“Vetëm Alfred Cako mund të thyejë Rilindjen”: Ilir Vrenozi i propozon kandidaturën Berishës për Bashkinë e Tiranës

Nëse zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës mbahen në shtator, Partia Demokratike duhet të ketë një kandidat surprizë dhe jashtë skemave tradicionale – kështu mendon demokrati i njohur Ilir Vrenozi, i cili i ka bërë një propozim të pazakontë Sali Berishës: kandidimin e Alfred Çakos për kreun e bashkisë.
“Ish-deputeti i Ballit Kombëtar, Alfred Çako, është figura e vetme që mund të thyejë ‘ushtrinë’ e Edi Ramës,” shkruan Vrenozi në një mesazh publik. Ai thekson se Çako ka potencial për të marrë jo vetëm votat gri, por edhe ato të majta, dhe se asnjë tjetër figurë nuk ka aktualisht forcën për të “thyer akullin e rilindasve”.
Propozimi vjen në një moment kur PD përballet me krizë të thellë identiteti dhe mungesë kandidatësh me profil të fortë, ndërsa brenda partisë mbizotëron heshtja për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë – ndoshta edhe nga frika e një tjetër humbjeje të rëndë. Madje, analisti Andi Bushati u ka këshilluar demokratëve të mos marrin fare pjesë nëse zgjedhjet shpallen. Megjithatë, propozimi i Çakos, sado i çuditshëm të duket për disa, është shenjë e dëshpërimit të thellë që ndjen opozita përballë makinerisë elektorale të mazhorancës.