Rusia në gjuhën shqipe: Si po përhapet propaganda e Kremlinit përmes rrjetit “Pravda”

Një raport i fundit i publikuar nga portali Hibrid.info ka zbuluar një përpjekje të mirëorganizuar nga Rusia për të infiltruar hapësirën digjitale shqipfolëse përmes propagandës, duke përdorur rrjetin mediatik “Pravda”. Ky rrjet, i njohur për shpërndarjen e dezinformatave në mbi 80 gjuhë në mbarë botën, nisi aktivitetin edhe në gjuhën shqipe në mars të vitit 2024, duke regjistruar faqen “albania.news-pravda.com”, e cila që nga ajo kohë ka publikuar mbi 2.600 artikuj.
Përmbajtja që shpërndahet është në thelb e përkthyer automatikisht nga burime të afërta me Kremlinin – si Sputnik, RT, Tass.ru dhe kanale Telegram të Ambasadës ruse në Tiranë – dhe përçon narrativa anti-NATO, anti-BE dhe anti-SHBA, si dhe mohon pavarësinë e Kosovës. Artikujt e sajuar shpesh përshkruajnë Kosovën si “krahinë të Serbisë” dhe portretizojnë autoritetet shqiptare e kosovare si “pushtues” apo “terroristë institucionalë”. Edhe vizitat zyrtare ndërkombëtare, si ajo e presidentes Osmani në Hungari, shërbejnë si pretekste për përhapjen e mesazheve nxitëse dhe përçarëse.
Sipas ekspertëve të Hibrid.info, edhe pse ndikimi i drejtpërdrejtë i këtij rrjeti tek audienca shqipfolëse është i kufizuar – për shkak të përkthimeve të dobëta dhe mungesës në rrjetet sociale – qëllimi është shumë më i thellë: të ngarkojë hapësirën digjitale shqiptare me narrativat ruse, duke ndikuar në perceptimin publik dhe madje edhe në mënyrën si sistemet e inteligjencës artificiale mësojnë nga interneti.
Ky fenomen është pjesë e një operacioni më të gjerë të quajtur “Portal Kombat”, i identifikuar nga institucioni francez VIGINUM, i cili monitoron ndërhyrjet e huaja digjitale. Ky rrjet ka struktura të njëjta në shumë vende të Ballkanit, ku përmbajtja gjenerohet automatikisht nga Telegram dhe publikohet brenda pak minutash në faqe të ndryshme në gjuhë lokale. Edhe pse me lexueshmëri të ulët, këto faqe përhapen më tej përmes mediave lokale, influencuesve dhe rrjeteve sociale, duke u bërë pjesë e një lufte të heshtur informacioni.
Ekspertët paralajmërojnë se propaganda nuk ka më nevojë për shpërthime spektakolare: mjafton të jetë konstante, e kudondodhur dhe e veshur me petkun e një portali “normal”. Në këtë betejë për të kontrolluar mendimin publik, edhe hapësira mediatike shqipfolëse është kthyer në një fushëbetejë të re gjeopolitike.