Vrasja e francezit në Ksamil/ Zbardhen detaje nga arrestimi i autorit, u gjet i fshehur në bagazhin e makinës

Ksamil – Detaje të reja kanë dalë në dritë nga arrestimi i autorit të dyshuar për vrasjen me thikë të një shtetasi francez në Ksamil. Pas ngjarjes së rëndë, policia ka vijuar kontrollet dhe ndjekjen e personit të dyshuar, i cili dyshohet se është përpjekur të largohet nga zona e Sarandës.
Sipas informacioneve të siguruara nga kronika, autori i dyshuar është lokalizuar dhe kapur në afërsi të Levanit, teksa ndodhej në një automjet që drejtohej nga një grua.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen e uniformave blu është mënyra se si i dyshuari po përpiqej t’i shpëtonte kontrolleve. Ai ishte fshehur në bagazhin e automjetit, në përpjekje për të mos u identifikuar nga shërbimet e policisë që ishin vënë në ndjekje të tij.
Detaje lidhur me arrestimin e Sokrat Vates. Ne automjetin ku u gjet Vata, drejtuese ishte nje shtetase femer e huaj dhe pasagjer nje shtetas turk. Dyshohet se Vata vec punes si roje plazhi tek Principotes, ishte njëherazi edhe bodigard i hotelit.
Pas ndalimit të automjetit që drejtohej nga nje femër, efektivët kanë kryer kontrollin dhe kanë zbuluar personin e dyshuar të fshehur në pjesën e bagazhit. Ai është nxjerrë prej andej dhe është shoqëruar nga policia për veprimet e mëtejshme procedurale.
Ngjarja për të cilën ai dyshohet ka ndodhur në Ksamil, ku një shtetas francez është goditur me thikë dhe, pavarësisht ndërhyrjes, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Pas krimit, policia ka nisur menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa kontrollet janë shtrirë edhe në akset rrugore që lidhin jugun me pjesën tjetër të vendit.
Kapja në afërsi të Levanit dhe fakti që i dyshuari ishte fshehur në bagazhin e një makine përbëjnë një prej detajeve më të fundit të hetimit.
Pritet që në vijim policia të japë informacion zyrtar edhe për rrethanat e plota të krimit, motivin e mundshëm dhe lidhjen mes autorit të dyshuar dhe viktimës.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e dinamikës së vrasjes.










