Besian Xhixha këmbëngul që SPAK t’i japë statusin e të penduarit të drejtësisë. Ai u arrestua në qershor 2021, si pjesë e grupit kriminal që dyshohet se ekzekutoi vëllezërit Besmir e Viktor Haxhia në Durrës. Xhixha konsiderohet si një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Nuredin Dumanit.
Ai ka bërë një deklaratë të fortë në një nga seancat e fundit të zhvilluara në gjykatën e Posaçme për ecurinë e hetimeve për të dyshuarit e operacionit “Plumbi i Artë”.
“Nëse prokuroria do të kishte marrë dëshminë e time, nuk do të kishte kaq shumë të vrarë në Fushë Krujë e Fushë Kuqe” – ka thënë ai. Kështu ka nënkuptuar ekzekutimet mafioze të njerëzve të afërt të Ervis Martinaj, por edhe zhdukjen pa gjurmë të të shumëkërkuarit të drejtësisë.
Besian Xhixha dhe miku i tij, Enver Diva u arrestuan me urdhër të SPAK më 17 qershor 2021. Kjo pasi i penduari i drejtësisë, Klevis Alla i implikonte si bashkëpunëtorë në vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në prill të 2020.
Ata akuzohen se kanë siguruar kushtet dhe mjetet për vrasjen e dy vëllezërve. Dyshohet se ata kanë qenë të parët që u kontraktuan për vrasjen nga Nuredin Dumani dhe Talo Çela. Plani dështoi pasi Enver Diva u prek nga covid. Pas arrestimit të Nuredin Dumanit, ky i fundit pasi mori statusin e të penduarit. Kjo e rëndoi situatën penale të Xhixhës, pasi ai e implikoi edhe në krime të tjera të rënda.