Itali – Një 35-vjeçare shqiptare, e identifikuar si Nevila Pjetri, është vrarë rreth orës 2 të mëngjesit të së dielës në Itali. Ndërkohë është zbardhur autopsia për vrasjen e shqiptares. Mësohet se 35-vjeçarja shqiptare u vra me dy të shtëna me pistoletë të kalibrit 22 në kokë. Mjekja ligjore Susanna Gamba konstatoi rezultatin e autopsisë.
Gjuajtja e parë është qëlluar në ballë, tjetra pas veshit të majtë. Ende mbetet për t’u sqaruar nëse vrasja ka ndodhur në vendin ku është gjetur kufoma apo diku tjetër. 32-vjeçari Daniele Bedini i arrestuar si autor prej mëngjesit të kësaj të marte po hetohet për vdekjen e Nevila Pjetrit, e cila u gjet e vrarë orët e para të së dielës në shtratin e lumit Parmignola në Marinella di Sarzana.
Hetuesit ranë në gjurmët e tij nëpërmjet pamjeve të kapura nga kamerat e sigurisë dhe falë hetimeve të kryera të dielën dhe ditën e djeshme.
Për momentin, shkruan La Repubblica, i riu është i dyshuar vetëm për vrasjen e parë, atë të Nevilës. Bedini mësohet është marrë në pyetje prej mesditës së sotme.
Për mediat italiane avokati i 32-vjeçarit tha se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me ngjarjet.