Zbardhet dinamika e sherrit në burgun e Fierit, dy të burgosurit shkuan për kafe te shoku: Debati nisi papritur

FIER – Dalin detaje të reja nga sherri i ndodhur pak ditë më parë në burgun e sigurisë së lartë në Fier, ku dy të burgosur mbetën të plagosur me mjete të improvizuara.
Sipas informacioneve të siguruara, dy të burgosurit e përfshirë në konflikt nuk kanë qenë shokë qelie dhe ndodheshin në sektorë të ndryshëm të institucionit të vuajtjes së dënimit.
Nga dëshmia e një personi që ka dijeni për ngjarjen, mësohet se dy prej të burgosurve kishin shkuar për vizitë tek një i dënuar tjetër. Ata janë takuar me të dhe, pasi kanë biseduar, i kanë propozuar të uleshin së bashku për të pirë një kafe.
Sipas dëshmisë, Denis Bajra ka pranuar të bashkohet me ta dhe të tre janë ulur së bashku. Në fillim takimi ka qenë normal, madje të përfshirët kanë shkëmbyer përshëndetje dhe përqafime, pasi njiheshin më herët.
Por situata ka ndryshuar gjatë momentit kur janë ulur për kafe. Pikërisht aty ka nisur debati mes tyre, i cili më pas ka përshkallëzuar në konflikt fizik dhe ka përfunduar me plagosjen e dy prej të burgosurve.
Motivi i saktë i debatit mbetet ende i paqartë. Personat e përfshirë nuk kanë dhënë, të paktën deri tani, një version të plotë mbi atë që ka shkaktuar përplasjen, ndërsa motivi po hetohet nga strukturat përkatëse të burgjeve dhe Prokuroria.
Burimi i kontaktuar shprehet se të burgosurit kanë dhënë vetëm një version sipërfaqësor të ngjarjes, duke pretenduar se ishin të njohur me njëri-tjetrin dhe se konflikti nisi gjatë bisedës për kafe.
Pas incidentit, masat e sigurisë kanë qenë të menjëhershme. Dy të burgosurit e tjerë janë transferuar nga burgu i Fierit. Sipas informacionit paraprak, njëri është dërguar në Burrel, ndërsa tjetri në Korçë. Në burgun e Fierit ka mbetur vetëm Denis Bajra. Ngjarja në fjalë ndodhi afro tre ditë më parë në burgun e Fierit









