AKTUALITETTOP-NEWS

“Ke një mesazh nga Ibrahim Lici…”/ Dëshmia e Denis Bajrit për sulmin në burgun e Fierit

“Ke një mesazh nga Ibrahim Lici, do të të vrasë dhe këtu ku je.” Këto janë fjalët që, sipas dëshmisë së Denis Vaso alias Brajoviç alias Bajri, i janë thënë pak çaste para se të sulmohej me thikë brenda burgut të Fierit.

Sipas dëshmisë së tij para hetuesve, Jurgen Zoto dhe Aldo Gjini iu afruan në ambientet e burgut, ndërsa Zoto i përcolli mesazhin që, sipas Bajrit, vinte në emër të Ibrahim Liçit. Menjëherë pas kësaj, ai pretendon se të dy e sulmuan me thikë, ndërsa reagoi në kushtet e vetëmbrojtjes.

Pas kësaj ngjarje është zbardhur edhe dëshmia e Denis Bajrit, i cili ka akuzuar kundërshtarin e të tij dhe të shumëkërkuarin Ibrahim Lici, se urdhëroi sulmin ndaj tij brenda qelisë. Në dëshminë e tij, Bajri ka deklaruar se Aldo Gjini i ka kërkuar të takohen, ndërsa në qeli bashkë me të është paraqitur edhe Jurgen Zotaj. Sipas tij, Zotaj i ka dhënë një telefon, në linjë me Ibrahim Liçin. Ky i fundit, ka kërcënuar bajrin duke i thënë: “Jeta jote kaq e pati”. Më tej, ai pretendon se është sulmuar me një mjet të improvizur si thikë nga Jurgen Zotaj.  

“Aldo Gjini kërkoi të më takonte. Erdhi në qelinë time bashkë me Jurgen Zotajn. Zotaj më dha një telefon; në linjë ishte Ibrahim Liçi. Liçi më tha në telefon: “Jeta jote kaq e pati”. Në ato momente, Zotaj tentoi të më sulmonte me thikë”, ka dëshmuar ai.

Ngjarja ka ndodhur brenda burgut të Fierit, ku Denis Brajoviç mbahet në paraburgim pasi u ekstradua pak kohë më parë nga Dubai. Ai akuzohet nga SPAK për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, për ekzekutimin e Gjin Ndojit alias Buriçi.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe thika që dyshohet se u përdor gjatë sulmit. Gjithashtu, gjatë kontrolleve është gjetur një telefon celular në qelinë e Jurgen Zotos, i arrestuar për veprat penale të “Vjedhjes” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve”.

Denis Brajoviç është vëllai i Erogen Vaso alias Brajoviç, i cili në shtator 2025 mbeti i plagosur rëndë në atentatin e Shkodrës, ku u vranë dy kalimtarë të pafajshëm, Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagos lehtë edhe një 25-vjeçare. Për atë ngjarje policia arrestoi si autor të dyshuar Rakip Gilën.

Nga ana tjetër, Jurgen Zoto dhe Aldo Gjini kanë mohuar që sulmi të ketë lidhje me hasmëri apo urdhra të ardhur nga jashtë. Ata kanë deklaruar se konflikti ka lindur për shkaqe banale dhe mosmarrëveshje personale brenda burgut.

Hetimet po kryhen nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit. Ekspertimi i telefonit të sekuestruar pritet të sqarojë nëse ka pasur komunikime apo udhëzime që lidhen me sulmin, ndërsa Zoto dhe Gjini pritet të rimerren në pyetje pas administrimit të provave.

Thika e improvizuar që u përdor për plagosjen e Denis Bajrit

IMG 20260810 WA0073

Paralelisht ka nisur edhe një hetim administrativ dhe penal për “Shpërdorim detyre” ndaj tetë punonjësve të burgut të Fierit, të dyshuar se kanë lejuar kalimin e dy të paraburgosurve në sektorin ku ndodhej Denis Bajri, duke bërë të mundur përplasjen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button