Shuhen dy vatrat e zjarrit në Drënie dhe Vlosh të Mallakastrës, lë pas sipërfaqe të tëra shkrumb e hi

Shuhen dy vatrat e zjarrit në Drënie dhe Vlosh të Mallakastrës. Gazetari i Syrit, Xhemil Beharaj informon se situata e zjarreve në zonën pyjore të Drënies, në kufirin mes bashkive Patos dhe Roskovec, paraqitet e qetësuar. Burime nga terreni konfirmojnë se aktualisht nuk ka më vatra aktive zjarri në pyllin me pisha të kësaj zone.
Pas ditëve të tëra përballjeje me flakët, forcat e armatosura dhe shërbimet zjarrfikëse vijojnë të qëndrojnë në terren, duke kryer kontrolle dhe ndërhyrje në brendësi të pyllit.
Edhe pse flakët janë shuar, në disa zona vijojnë të shfaqen vatra të vogla që nxjerrin tym, kryesisht nga trungje dhe dru të djegur. Forcat zjarrfikëse po ndërhyjnë menjëherë për t’i shuar ato, me qëllim që të mos krijohet mundësia e riaktivizimit të zjarrit nga era.
Burimet nga terreni bëjnë me dije se situata mbetet nën kontroll dhe se nuk ka më fronte apo vatra aktive zjarri në pyllin me pisha të zonës së Drënies dhe Vloshtit.
Forcat që morën pjesë në operacion vijojnë monitorimin e territorit, pasi rreziku i riaktivizimit mbetet i pranishëm për shkak të temperaturave të larta, terrenit të djegur dhe erës që vijon të fryjë.
Aktualisht, në zonë vërehen kryesisht drurë të djegur që vijojnë të nxjerrin tym, të cilët po shuhen nga ekipet në terren për të garantuar izolimin përfundimtar të zjarrit.








