“Jam Matteo Messina Denaro”. Këto janë fjalët e para të personitmë të kërkuar në Itali, bosit të fundit të Cosa Nostra, në momentin e arrestimit, kur u pyet si quhej.
Siç raportojnë mediat italiane, hetuesit ndiqnin prej disa muajsh pistën që rezultoi e suksesshme. Ndërsa efektivët e Repartit të Operacioneve Speciale ishin siguruar 3 ditë më parë se e kishin gjetur më në fund njeriun të cilin e kërkonin prej 30 vitesh.
Pas arrestimit, Denaro është transferuar në kazermën “San Lorenzo” të Karabinierisë në Palermo. Sipas burimeve për “Corriere della Sera”, Denaro shkonte vazhdimisht në klinikën private në kryeqytetin e Siçilisë për vizita.
Një natë më parë, godina ishte rrethuar me agjentë të cilët në orën 9 të mëngjesit kanë ekzekutuar edhe urdhrin e arrestit.
“Ishte në radhë për të bërë një tampon, si shumë pacientë të tjerë në klinikë. Askush nuk do ta kishte menduar kurrë që ai ishte Matteo Messina Denaro”, citohet të ketë deklaruar Stefania Filosto, drejtoresha e klinikës private ku ishte Denaro.
“Ishte infiltruar mes pacientëve me emër të rremë, tashmë i plakur dhe i sëmurë”.
Matteo Messina Denaro konsiderohej si trashëgimtari i “fronit” të Mafias siciliane, që prej arrestimit të Toto Riina-s në vitin 1993 dhe kalimit në izolim të plotë të mikut të tij, Bernardo Provenzano. Ai është djali i Don Ciccio-s, bos i degës së Castelvetrano (Trapani), aleat historik i korleonezëve.
Ai ishte dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për dhjetëra vrasje, mes të cilave ajo e të voglit Giuseppe di Matteo, djali i një të penduari i cili u shkri në acid, pasi u mbajt peng për dy vite.
Ai është dënuar edhe si pjesëmarrës në atentatet që i morën jetën dy prokurorëve më të famshëm të antimafias italiane, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino dhe për disa ngjarje të tjera mafioze.