Zjarri në Drizë që çoi në evakuimin e 12 familjeve, arrestohet 20-vjeçari për zjarrvënie

Policia e Fierit ka arrestuar në flagrancë 20-vjeçarin Nikola Jaso, i dyshuar si autor i zjarrvënies që shkaktoi një vatër të madhe zjarri në fshatin Drizë dhe në zonat përreth.
Sipas Policisë, i riu dyshohet se më 5 korrik 2026 ka ndezur zjarr në tokën në pronësi të babait të tij, me qëllim djegien e barishteve. Megjithatë, flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme në fshatin Drizë dhe në disa fshatra përreth, ku u shkaktuan dëme materiale.
Pas hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, autori i dyshuar u identifikua dhe u arrestua në flagrancë.
Si pasojë e përhapjes së zjarrit, shërbimet e Policisë evakuuan 12 familje, banesat e të cilave rrezikoheshin nga flakët.
Falë ndërhyrjes së forcave të Policisë, shërbimeve zjarrfikëse, grupeve të Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS) – Njësia Fier, si dhe helikopterëve të Forcave të Armatosura, u bë e mundur shuarja e zjarrit pa pasoja në njerëz.









