AKTUALITETTOP-NEWS

Zjarri shkrumbon qindra hektarë në Fier, digjen mijëra rrënjë ullinj – fermerët kërkojnë dëmshpërblim. Policia arreston 20 vjeçarin

Fier – Një zjarr me përmasa të mëdha, i shkaktuar nga pakujdesia, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në fshatrat Drizë dhe Peshan i Madh, ku janë djegur qindra hektarë sipërfaqe toke dhe mijëra rrënjë ullinj në prodhim.

Sipas banorëve të zonës, flakët nisën paraditen e së dielës dhe, të favorizuara nga era e fortë, u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë ullishtet dhe tokat bujqësore. Ata tregojnë se situata ishte tepër e vështirë dhe se vetëm ndërhyrja e menjëhershme e forcave zjarrfikëse, ekipeve të emergjencës, ambulancave dhe helikopterit bëri të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve, duke shmangur pasoja edhe më të rënda.

Banorët falënderojnë të gjitha strukturat që morën pjesë në operacion, por shprehen të shqetësuar për dëmet e mëdha ekonomike. Sipas tyre, ullinjtë ishin në një sezon shumë të mirë prodhimi dhe pritshmëritë për këtë vit ishin të larta, por zjarri shkatërroi pothuajse të gjithë prodhimin.

Fermerët kërkojnë që organet e pushtetit vendor të ngrenë sa më shpejt një komision për evidentimin dhe verifikimin e dëmeve, në mënyrë që më pas të procedohet me dëmshpërblimin nga qeveria për familjet e prekura.

Ndërkohë, përgjegjësi për Emergjencat Civile në Prefekturën e Qarkut Fier, Kreshnik Ymeriaj konfirmoi se situata tashmë është vënë nën kontroll, ndërsa institucionet po punojnë për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.

Nga ana tjetër, policia ka njoftuar se ka arrestuar një 20-vjeçar, Nikola Jaso i cili dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e babait të tij. Për shkak të pakujdesisë dhe erës së fortë, flakët dolën jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha toke dhe mijëra rrënjë ullinj në fshatrat Drizë dhe Peshan i Madh.

Autoritetet vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga një prej zjarreve më të mëdha të ditëve të fundit në këtë zonë.

Në operacion u angazhuan
dy helikopterë dhe dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, 15 mjete zjarrfikëse nga disa bashki dhe institucione, katër autobote uji, 70 efektivë zjarrfikës, 35 ushtarakë, 40 punonjës të Policisë së Shtetit, pesë ekipe të urgjencës mjekësore, 15 punonjës të bashkisë, dy përfaqësues të Mbrojtjes Civile të Prefekturës si dhe rreth 30 banorë vullnetarë/ ALB365

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button