Thursday, April 25, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKË“400 mijë lekë, tetë vota”, si ra në pranga Fredi Beleri! 

“400 mijë lekë, tetë vota”, si ra në pranga Fredi Beleri! 

Një arrestim në mesnatë në Jug të vendit prishi qetësinë e fushatës së 28 ditëve për zgjedhjet e 14 majit për qeverisjen vendore.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Fredi Beleri u arrestua nga policia pas një hetimi të përbashkët me Prokurorinë e Vlorës në ambientet e jashtme të një lokali në Vlorë. Bashkë me të u arrestuan dhe tre persona të tjerë.

Kujtojmë se gjithçka nisi pas deklaratave të Belerit për mediat greke ku foli për helenizimin e Himarës në rast se ai do të fitojë. “Zgjedhja ime do të lehtësojë rrugën e helenizimit me mbështetjen e të gjitha forcave politike të Greqisë, të cilat i falënderoj me gjithë zemër, do të ndihmojë në bashkëpunimin mes dy vendeve, një kusht i nevojshëm për përparimin tonë. Ne duam të shohim vendin tonë të përparojë dhe helenizmi i tij të përparojë në vend të tij”, ka thënë Bejleri.

Kjo gjë solli deklarata të forta nga Tirana, ku aktorë të ndryshëm politikë kërkuan dënimin e gjuhës së kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Ndërkohë një javë më parë, më 6 maj, teksa mbante një takim elektoral në Himarë, kryeministri Rama hodhi akuzat e para për kandidatin e koalicionit “Bashkë fitojmë” në këtë qytet Fredi Belerin.

“Del nëpër rrugë dhe flet broçkulla, se është edhe një kokërr injoranti që nuk e ka shokun po thotë që edhe Edi Rama e ka shitur Himarën se është marrë vesh me Qirjakon. Këto janë broçkulla të gjitha. Jam shumë i acaruar me diversionet që bën ai lart e poshtë dhe mënyrën se si ai do të përdor lidhjet që ai me demek ka në Greqi. Po qe për lidhjet në Greqi, i kam vet”, pati thënë Rama.

Kjo deklaratë e kreut të qeverisë solli reagimin e vet Beleri.

“Sot në Himarë Edi Rama veshi kapelen e kryetarit të partisë duke harruar që është kryeministri i të gjithëve. Në vështirësi të dukshme për të justifikuar zgjedhjen nga halli të kryetarit në ikje dhe keqadministrimit të tij për 12 vite, u mjaftua me një shoë të radhës, krejt të pamoralshëm dhe meskin siç ai e ka zakon të bëjë”, ishte përgjigja e Belerit.

Rama nuk i ndali sulmet ndaj Belerit, madje duke e ashpërsuar gjuhën për të në daljet televizive dhe në takimet e tjera elektorale.

I fundit ishte pak orë përpara se Beleri të arrestohej, në mbylljen e fushatës së Partisë Socialiste në Kamëz.

“Kërcënon njerëzit që po nuk votuan, do t’ju heqë mundësinë për të shkuar në Greqi; i cili kërcënon emigrantët se po nuk votuan për të, do t’ju marrë letrat dhe do t’ua grisë. Edhe ua them të gjithë emigrantëve që dëgjojnë sekserët e këtij, që nuk ka Zot që atyre ua gris letrat”, u shpreh Rama.

Pak orë para arrestimit ishte vetë kryeministri Edi Rama, i cili në një intervistë për “Opinion” i bëri thirrje emigrantëve të mos bien pre e kërcënimeve të stafit të Belerit dhe vetëm dy orë më pas startoi operacioni që e çoi në pranga.

Fredi Beleri u arrestua pak minuta pasi kishte kaluar mesnata. Ai u dërgua fillimisht në komisariatin e Himarës, por pasi banorët e Himarës “rrethuan” policinë, u transferua në Drejtorinë e Policisë në Vlorë ku iu komunikua urdhër arresti.

Në orët e para të mëngjesit nisën dhe reagimet nga Athina zyrtare. Ambasadorja e Greqisë në Tiranë mbërriti në Ministrinë e Jashtme për të takuar ministren Ola Xhaçka, por u prit nga një zyrtar i ministrisë.

Ndërkohë që kryediplomati grek, Nikos Dendias pati një telefonatë me kryeministrin Edi Rama për çështjen pasi kishte informuar kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

Reagime pati dhe në Tiranë nga maxhoranca dhe opozita. Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi hakmarrje të verbër dhe tha se e gjitha bëhet për tokat e Himarës. Po kështu kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta e cilësoi rrëmbim mafioz dhe iu bëri thirrje qytetarëve dhe strukturat opozitare në Himarë të jenë në këmbë, të fuqizojnë në maksimum fushatën dhe të intensifikojnë kontaktet me zgjedhësit.

Ndërkohë Romarjo Meminaj, avokati i Fredi Belerit tha se ai ndodhet në një gjendje të rënduar psikologjike dhe se duhet të lirohet nga burgu.

Meminaj: Gjendja shëndetësore nuk është fort e mirë, ka gjendje të rënduar psikologjike dhe emocionale, masa mund të mbahet nesër ose pasnesër. Ne kërkojmë lirim. Ambasadorja erdhi u interesua pasi Beleri është shtetas grek

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME