64 kandidatë nuk votuan as veten, ja tre më të votuarit në vend

Procesi i numërimit të votave preferenciale nga brenda vendit është përmbyllur, duke i dhënë Partisë Socialiste një avantazh të ndjeshëm në zgjedhjet e 11 majit. Sipas të dhënave zyrtare, PS ka siguruar 37 mandate nga lista e hapur, ndërsa Partia Demokratike ka arritur të marrë vetëm 6 mandate.
Kandidati më i votuar në nivel kombëtar rezulton të jetë Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, i cili ka grumbulluar 22,016 vota preferenciale. Pas tij renditet deputeti socialist Erion Braçe me 20,846 vota, ndërsa e treta është kandidatja e PD-së Jorida Tabaku me 19,025 vota, duke u shpallur njëkohësisht edhe gruaja më e votuar në rang vendi.
Në radhët e emrave të rinj që kanë tërhequr mbështetje të konsiderueshme janë Arkend Balla (PS, Durrës) me 18,715 vota dhe Sara Mile (PS, Elbasan) me 18,626 vota.
Ndërkohë, bie në sy fakti se 65 kandidatë nga parti të ndryshme nuk kanë marrë asnjë votë, një tregues i kandidaturave formale pa angazhim të dukshëm në terren.
Në Qarkun e Tiranës, gara mbetet e hapur për një mandat mes socialistëve Ornaldo Rakipi dhe Xhemal Qefalia, me një diferencë prej vetëm 130 votash. Për kuotën gjinore, Anila Denaj e ka siguruar mandatin, ndërsa beteja mes Blerina Gjylametit dhe Olta Xhaçkës është tejet e ngushtë, me një diferencë prej vetëm 19 votash.
Në Tiranë, përveç Xhaçkës, rrezikon mandatin edhe ish-ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, Mimi Kodheli, ish – nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj apo kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka.
Ndërkohë nga burrat që nuk do të hyjnë në sallën e parlamentit të ri përmendim ish – kryeministrin Pandeli Majko, por po ashtu dhe Toni Goguj, Arben Pëllumbin, apo dhe Plarent Ndrecën.
Pritet që votat e Greqisë që arrijnë në mbi 53 mijë, të sjellin lëvizje të mundshme në rezultatin përfundimtar, veçanërisht në qarqe si Tirana, Vlora dhe Fieri, ku diferencat mes kandidatëve janë minimale.