Fero, është liruar nga paraburgimi, pasi u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulm”.
Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, Ilir Shaqiri.
Shaqiri tha për Express se kanë pranuar aktvendimin nga Gjykata Themelore e Gjilanit, ku thuhet se Feros i është ndëprerë masa e paraburgimit.
Reperi, sipas avokatit të tij, është liruar pasi ai e ka pranuar fajësinë dhe kanë arritur dakordësi me palën e dëmtuar.
“Kjo vjen në sajë të pranimit të fajësisë nga i pandehuri. Siç e dimë të gjithë ngjarja e shkaktuar ka ndodhur nga një provokim, jo vetëm me muzikë por edhe me gjeste që ka çuar deri edhe në agresivitet.
Fero është shprehur i penduar për atë që ka bërë dhe kështu kanë arritur në një dakordësi dhe janë pajtuar”, tha avokati Shaqiri duke shtuar më tej:
“Dënim do të ketë. Ne po e presim vendimin final ku do të na kumtohet se me çfarë dënimi do të dënohet ai”, tha Shaqiri.
Kujtojmë se disa javë më parë reperi sulmoi një person në makinë në qytetin e Gjilanit.
Në rrjetet sociale u publikuan menjëherë pamjet e dhunshme dhe më pas policia ndërhyri duke arrestuar reperin.