Pas vrasjeve të një dite me parë në Elbasan dhe në Sarandë, një tjetër ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur sot në Vlorë.
Dy persona kanë mbetur të vdekur pasi janë qëlluar nga një makinë në lëvizje në afërsi të fshatit Panaja, teksa po udhëtonin me makinën e tyre. Geno (Shpati) Lena, 37-vjeç dhe Hakim Xhezo, 34 vjeç, janë ekzekutuar nga një atentat i mirëorganizuar në aksin Fier-Vlorë. Paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive hasmërie.
Dyshohet se autorët, të cilët lëviznin me një makinë tip “BMW” kanë qenë tre, dy në rolin e ekzekutorit dhe një në rolin e shoferit. Autorët i kanë ndjekur viktimat, të cilët lëviznin nga Vlora në drejtim të Fierit, derisa kanë dalë paralel me ta dhe i kanë qëlluar.
Shpati Lena nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai ka qenë arrestuar më parë si i përfshirë në vrasjen ku mbeti i vrarë pronari i lokalit në plazhin e Vlorës, Arben Beqiraj. Në këtë ngjarje është i përfshirë disi edhe viktima e dytë, Hakim Xhezo. Ai është vëllai i Eduart Xhezos, i cili bashkë me Shpat Lenën vranë Arben Beqirajn në vitin 2019, pas sherrit se kali në pronësi të Xhezos kishte kaluar para lokalit të viktimës, Beqirajt.
Si ndodhi ngjarja në 2019-n
Gazmend Alushi, i punësuari i Ermal allias Eduart Xhezo, është dhunuar me grushte e shkelma në 4 gusht 2019 nga Arben Beqiraj, djali i tij dhe persona të tjerë familjarë pasi ka kaluar me kalë pranë lokalit të Beqiraj-t, pasi sipas këtij të fundit kali i prishte qetësinë disa pushuesve që po bënin plazh. Pasi shpëtoi nga duart e Beqiraj-t, Alushi i ka treguar Xhezos se kush e kishte rrahur. Fill pas kësaj, Ermal Xhezo, bashkë me shokët e shokët e tij: Shpati Lena (viktima e sotme) dhe kunatin e tij Ariel Kingji (sot i arrestuar), ka shkuar në ambientet e lokalit të Arben Beqiraj, për t’u sqaruar lidhur me rrahjen që ata i kishin bërë kujdestarit të kalit të Ermal Xhezot. Xhezo bashkë me dy shokët ishte i armatosur me automatikë dhe pistoleta.
Teksa kanë shkuar për t’u sqaruar, dy palët janë ulur 3 minuta në një tavolinë dhe më pas kanë nisur përplasjet fizike deri në përdorimin e armëve, duke sjellë vrasjen e Arben Beqirajt dhe plagosjen e djalit të tij dhe Nesim Hodaj. Kjo ngjarje tronditi qytetin e Vlorës në pikun e sezonit turistik. Autor i vrasjes ka qenë Eduart Xhezo, i arrestuar, teksa shoku dhe kunati i tij kanë bashkëpunuar në krim.