Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeLIFESTYLEMAGAZINËProfil/ Anna Maria Tortora neo-fashistja që mund të fitojë zgjedhjet në Itali

Profil/ Anna Maria Tortora neo-fashistja që mund të fitojë zgjedhjet në Itali

Për 40 vjet, Anna Maria Tortora (foto poshtë) ka shitur domatet e saj të pjekura dhe kastravecët e freskët për klientët e saj besnikë në tezgën e saj të tregut në Romë. Thotë se ende nuk e kupton se si një vajzë e vogël që dikur rrinte në radhë para saj duke mbajtur dorën e gjyshit mund të jetë kryeministrja e ardhshme e Italisë.

- Anna Maria, the veggie trader
Anna Maria

Ajo vajza e vogël, Giorgia Meloni, tani përflitet si emri kryesor për të udhëhequr Italinë. Anna Maria fryhet nga krenaria: “E rrita me fasule! Ajo hëngri mirë dhe u rrit mirë”.

Tregu është në zonën e Garbatella, një lagje e klasës punëtore të Romës dhe tradicionalisht një bastion i së majtës. Për ta është thuajse e papajtueshme që pas zgjedhjeve të muajit të ardhshëm mund të kenë kryeministrin e parë të ekstremit të djathtë që nga koha e Benito Musolinit.

“Ajo nuk është përfaqësuese e kësaj zone, e cila historikisht është e kuqe” – thotë Marta, një blerëse që shtyn karrocën e saj pranë tezgave të perimeve. Nëna e saj e moshuar, Luçiana thotë se ka frikë nga perspektiva.

“Unë jam thellësisht antifashiste,” – shton ajo. “Nëse ajo zgjidhet, do të jetë një periudhë shumë e shëmtuar”.

Etiketimi si “fashiste” është diçka që Giorgia Meloni e refuzon me forcë.

Partia e saj, Fratelli d’Italia (Vëllezërit e Italisë), kryeson në sondazhe dhe duke folur në anglisht, spanjisht dhe frëngjisht në një video të fundit, ajo këmbënguli se e kishte lënë ideologjinë në histori.

Por historia është pjesë e problemit në një vend që nuk pati ekuivalentin e denazifikimit të Gjermanisë pas luftës, duke lejuar partitë fashiste të reformohen. E themeluar në vitin 2012, Fratelli d’Italia i ka rrënjët e saj politike në Lëvizjen Sociale Italiane (MSI), e cila u ngrit nga hiri i fashizmit të Musolinit.

Partia mban logon e partive të ekstremit të djathtë të pasluftës: flaka trengjyrëshe, e perceptuar shpesh si zjarri që digjet në varrin e Musolinit.

Fratelli d'Italia (partito politico) - Wikipedia

“Giorgia Meloni nuk dëshiron ta heqë simbolin sepse është identiteti nga i cili nuk mund të shpëtojë; është rinia e saj” – thotë Gianluca Passarelli, një profesor i shkencave politike në Universitetin Sapienza të Romës.

“Partia e saj nuk është fashiste”, – shpjegon ai. “Fashizëm do të thotë të marrësh pushtetin dhe të shkatërrosh sistemin. Ajo nuk do ta bëjë këtë dhe nuk mund ta bëjë këtë, por ka mbështetje në parti të lidhura me lëvizjen neofashiste. Ajo gjithmonë ka luajtur disi në mes.”

Rinia e saj është me të vërtetë e ankoruar në të djathtën e ashpër dhe mes imazhit të “një gruaje të popullit”.

E lindur në Romë, ajo ishte vetëm 1 vjeç kur babai i saj, Francesco, u largua nga familja dhe u transferua në Ishujt Kanarie. Francesco ishte i majtë, nëna e saj Anna ishte e djathtë, duke nxitur spekulime se rruga e saj politike ishte e motivuar pjesërisht nga dëshira për të kërkuar hakmarrje ndaj babait të saj që mungonte.

Familja u zhvendos në Garbatella, pranë gjyshërve të saj. Atje, në moshën 15-vjeçare, ajo iu bashkua Frontit Rinor, krahut rinor të MSI-së neofashiste, më vonë duke u bërë presidente e degës studentore të pasuesit të lëvizjes, Aleancës Kombëtare.

Marco Marsilio po mbante një takim në zyrën e MSI-së në Garbatella kur Giorgia Meloni trokiti në derën e tij në 1992. Dhjetë vjet më i madh se ajo, ai u bë një mik i ngushtë dhe aleat politik dhe sot ai është president i rajonit të Abruzzo-s.

“Ishte një vajzë e hollë, por gjithmonë shumë serioze dhe e vendosur”, – thotë ai. “Të gjithë e vumë re atë sepse në mbledhjet e studentëve, ajo kundërshtonte këdo që donte t’i hiqte mikrofonin”.

Me kalimin e viteve, ata ndanë pushime familjare, debate dhe tubime shoqërore dhe ai e ka parë atë të rritet me vetëbesim. “Ajo kishte pasiguritë e saj në atë kohë, por ndoshta kjo i dha forcë sepse e bëri atë të lexonte më shumë” – thotë Marsilio.

Në vitin 2008, në moshën 31-vjeçare, Giorgia Meloni u bë ministrja më e re që kishte pasur ndonjëherë Italia, e emëruar në portofolin e Rinisë dhe Sportit nga Silvio Berlusconi.

Pasi formoi partinë e saj në vitin 2012, ajo fitoi vetëm 4% të votave në zgjedhjet e 2018-ës.

Tani, si e vetmja parti e madhe që ka qëndruar jashtë qeverisë së “koalicionit të unitetit kombëtar” të Mario Draghit, ajo po kryeson sondazhet me rreth 25% në aleancën e saj të së djathtës me Silvio Berlusconin dhe partinë e ekstremit të djathtë “Lega” të ish-ministrit të Brendshëm Matteo Salvini dhe që ka të ngjarë të fitojë shumicën në zgjedhjet e shtatorit.

Giorgia Meloni, President of Brothers of Italy party, Silvio Berlusconi, Leader of Italian right-wing party Forza Italia (Go Italy) and Northern League leader Matteo Salvini pose upon arrival at the Tempio di Adriano in Rome on March 1, 2018
Giorgia Meloni, Silvio Berlusconi dhe Matteo Salvini

Por edhe pse ajo ka kërkuar të qetësojë aleatët perëndimorë të Italisë, për shembull, duke mbështetur fuqimisht linjën pro-ukrainase të qeverisë së Draghit, politikat e saj konservatore sociale të vijës së ashpër po shqetësojnë shumë njerëz.

“Po familjes natyrale, jo lobeve LGBT!” – deklaroi ajo me të madhe në një tubim të fundit të partisë së ekstremit të djathtë të Spanjës “Vox”. Ajo ka bërë thirrje për një bllokadë detare ndaj Libisë për të ndaluar anijet me emigrantë.

“Meloni nuk është një rrezik për demokracinë, por një rrezik për Bashkimin Evropian”, – thotë Prof. Passarelli, i cili e vendos atë në të njëjtin kallëp me liderët nacionalistë në Hungari dhe Francë.

“Ajo është në të njëjtën anë me Marine Le Pen ose Viktor Orban. Dhe ajo dëshiron një ‘Evropë të kombeve’, kështu që të gjithë janë njëlloj në thelb. Italia mund të bëhet “kali trojan” i Putinit për të minuar solidaritetin, kështu që ajo do t’i mundësonte atij vazhdimin e dobësimit të Evropës”.

Tani, duke shpresuar të bëhet kryeministrja e parë grua e Italisë, ajo reklamon identitetin e saj femëror.

“Dominimi i familjes italiane është “nëna”. Ajo duket si figura maço që kontrollon kuzhinën. Meloni e përdor këtë me zgjuarsi sepse shkon drejtpërdrejt në thelbin e sistemit tonë” – thotë Prof. Passarelli.
Për aleatët e saj që tani nuhasin fitoren, 45-vjeçarja përfaqëson ndryshimin radikal politik që i duhet Italisë, duke pasur parasysh stagnimin e saj të gjatë ekonomik dhe një shoqëri që shihet si një gerontokraci.

“Ndihem mirë, si një baba që çon vajzën e tij në altar. Ne nuk do ta kishim themeluar partinë nëse nuk mendonim se ajo kishte potencialin për këtë”, – thotë Marco Marsilio.

Nëse ajo fiton muajin tjetër, e pyes se çfarë do t’i thoshte Melonit në telefonatën e tij të parë.

“Jepi!” – përgjigjet ai. “Të gjithë e kërkuam kaq shumë. Tani luaj vallen.” ©Marrë nga BBC, përshtati në shqip LAPSI.al

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME