Dy fitore 3-0 në ndeshjet e mbrëmjes së mesjavës në Serie A me Inter e Romën që bëjnë tris në shtëpi, respektivisht kundër Cremoneses e Monzës, gjithnjë e më të fundit në renditje. Pa Lukakun, zikaltrit tërhiqen nga Lautaro e Correa, ndërsa në Olimpico Dybala shënon dygolëshin e parë me fanellën e Romës. 90 minuta në fushë për Marash Kumbullën.
INTER 3-1 CREMONESE
Në javën e katërt të Serie A, Interi mundi 3-1 Cremonesen dhe prezantohet në derbin të shtunën me një pikë përpara Milanit. Zikaltrit zhbllokuan ndeshjen me një devijim me portën bosh të Correas, pasi Radu kishte grushtuar goditjen e Dzekos (12′). Dyfishimi i skuadrës së Inzaghit erdhi në të 38′ me një kryevepër të Barella, një goditje fantastike me të djathtën (38′). Miqtë tentuan në pjesën e dytë, por në minutën e 76-të Lautaro Martinez mbylli llogarinë në kundërsulm. Në të 90-ën u shënua goli i flamurit për Cremonesen me autor Okerekes, që nuk i lëviz të tijtë nga zero në renditje.
https://hotfooth.coolvidup.com/embed/vcavK8FeJAXfS
ROMA 3-0 MONZA
Një mbrëmje për kornizë për Romën e Mourinhos, në ndeshjen e parakohshme të mesjavës së javës së katërt të Serie A. Trajneri portugez gjen një super Dybala dhe kryesimin momental të vetmuar të renditjes. Është në fakt një dygolësh i argjentinasit (i cili arrin 100 golat në Serie A) në pjesën e parë, së bashku me golin e Ibanez në pjesën e dytë, që fundos Monzën 3-0 duke e dënuar Stroppan me vendin e fundit me ende zero pikë në katër ndeshje. Nga minuta e parë mbrojtësi i kombëtares Marash Kumbulla, që ka qenë i pakalueshëm për sulmuesit e Monzës, ndërsa verdhekuqtë shkojnë tani në dhjetë pikë.