Fier – Procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit B. C., 62 vjeç, banues në Divjakë, pasi ditën e djeshme duke drejtuar motomjetin është përplasur me automjetin, me drejtues shtetasin D. D., 23 vjeç, banues në Kosovë dhe për pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, pasagjerja në motomjet, shtetasja H. C., 64 vjeçe.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit A. K., 50 vjeç, banues në Divjakë, pasi në hyrje të plazhit Divjakë, u konstatua nga shërbimet e Policisë gjatë tentativës për vendosjen e paautorizuar të një trau, për lejimin e kalimit të mjeteve, vetëm kundrejt pagesës.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi A. V., 56 vjeç, banues në Lofkënd, Mallakastër, pasi në fshatin Ngracie, në tokën në pronësi të tij, të mbjellë me ullinj, u gjetën të kultivuara disa bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.