Edi Rama deklaroi se pas sulmit kinbernetik që paralizoi sistemet online, ishte sulm shtetëror nga Republika Islamike e Iranit.
Ai tha se diplomatëve do iu duhet 24 orë që të lënë vendin.
“Ta dashur bashkëqytetarë!
Në 15 korrikun e shkuar vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare. Sulmi nuk ia arriti qëllimit. Krahasimisht me objektivat e agresorit, dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim.
Për javë të tëra u punua paralelisht, ditë-natë, qoftë për rivënien e të gjitha sistemeve në punë, qoftë për hetimin e thellë për gjetjen e agresorit. Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht, pa asnjë hije dyshimi, se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror. Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron.
Ne kemi informuar aleatët tanë strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat kemi ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj vendit tonë.
Nisur nga sa më lart Këshilli i Ministrave, ka vendosur me efekt te menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike te Iranit. Ky vendim i është bere i ditur me note zyrtare Ambasadës se Republikës Islamike te Iranit, te cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë i te gjithe personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, pershfire edhe personelin e sigurise.
Kjo mase ekstreme, aspak e deshiruar po krejtësisht e detyruar, eshte ne proporcion te plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend.
Dështimi i këtij sulmi masiv mbi vendin tonë, falë rezistencës së sistemeve që kemi ngritur dhe ndihmës së grupeve speciale që na u bashkuan në këtë luftë, nuk është fundi i kërcënimit kibernetik, po thjeshtë prova se tanimë edhe Shqipëria ka hyrë falë zhvillimit digjital në hartën e gjerë të luftës për sigurinë kibernetike. Por lajmi i mirë është se ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë e si duhet ta bëjmë për të mos na prekur dot askush, ashtu siç dimë edhe se do t’i bëjmë siç duhet gjërat e duhura, sepse kemi partnerët e duhur.
Faleminderit!”, tha Rama.