Faqja e hakerave Homeland Justice, ka publikuar të dhënat e ish-kreut të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Aty jepen të dhëna mbi familjen e Nanos. Por edhe hyrje-daljet e ish-kryepolicit në vend, që nga pikat kufitare tokësore dhe deri tek ato ajrore. (në fotot poshtë)
Ngjarja vjen në një kohë që kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka rrjedhje serioze të dhënash. Por, vjedhja e informacioneve nga ish-kreu i policisë së shtetit është dëshmi e përmasave që ka marrë skandali në fjalë.
Kryeministri Rama ka përsëritur refrenin se të dhënat e institucioneve shtetërore nuk ishin fshirë dhe se sulmi janë zmbrapsur.
Për të mbrojtur të dhënat, Shqipëria ka marrëveshje me një kompani amerikane. Qeveria kërkoi edhe ndihmën e ekspertëve të FBI për këtë çështje.
Skandalet që kanë të bëjnë me të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë nuk kanë të mbaruar. Në fund të vitit të kaluar u publikuan pagat e qindra mijëra punonjësve në biznese private dhe në shtet. Ndërsa në prill të vitit të kaluar, Lapsi.al zbuloi një databazë që provonte se edhe Partia Socialiste kishte abuzuar me të dhënat personale të shqiptarëve për sistemin e patronazhimit.
Jo më pak se një javë më parë hakerat goditën sistemin TIMS të hyrje-daljeve të shqiptarëve nga kufijtë. Pavarësisht kaosit të prekshëm nga qytetarët, sërish përpjekja e qeverisë për të minimalizuar përmasat e hakerimit, varej së paku njësoj sa tek kundërlufta e presupozuar, edhe tek propaganda se gjithçka është në rregull. Ndërkohë, fundit të sulmeve nuk i dihet fundi.