Nga Flamur Çepele – NESËR…
është një ditë e veçantë për qytetarët e Roskovecit.
Letra njoftimesh të stamposura nëpër trungje rrepesh anë e mbanë qytetit lajmërojnë se, (ç)nderon me ardhjen e tij kryeministri i vëndit.
Nesër,
nepotizmi pushtetar, hallexhinjë me kontratë pune 6-mujore dhe krijesat pa moral do ta presin e duartrokasin, para se mëndjemadhi më i madh i këtij shekulli, të nis frazën e parë kryeneçe. Triumfi i tij do të shndërrohet në apoteozë.
Nesër,
do të vijojnë të njëjtat argëtimet e tij, refleksione e premtime të pambajtura, këtu e 8 vjet e kusur më parë, të formuluara mbi ato gallata-gënjeshtra, pa asnjë cipë ndershmërie, por me një timbër të zvargur oratorie më të stërholluar.
Nesër,
e gjithë turma, që do të jetë kail të shtrihet nën poturet e tij, do të thërras’ e brohoras’ ”Fitore”, e të tjera profka partiake e politike të hazdisura; thirrje histerike me epiqëndër për një Roskovec, që po vdes nga asgjëja dhe plakja.
Nesër,
si njëri nga qytetarët e Roskovecit, të cilit pushteti qëndror dhe ai vendor i ka bërë e vazhdon t’i bëj padrejtësi; s’do të marr pjesë në atë cirk vetëm me një aktor protagonist, jo se jam kushedi çfarë, por në rend të ditës të jetës time të dreqit, tani në infinit, kam vënë: Moralin dhe Nderin!
NESËR…
POSTIME TË NGJASHME