Situata në Kosovë është e ndezur sërish. Vendimi i serbëve për të lënë institucionet në polici, pushtetin lokal, qeveri dhe parlament e ka kthyer edhe një herë fokusin tek Prishtina dhe Beogradi.
Në vend të një mbështetjeje pa rezerva për Kosovën, qeveria e Tiranës ka mbajtur edhe një herë linjën e “përkëdheljes” për Beogradin dhe “thumbimeve” për Prishtinën. Në të parin reagim për atë që po ndodh matanë kufirit, kryeministri Edi Rama vuri sërish në dukje “përplasjen” mes Albin Kurtit dhe ndërkombëtarëve. Këtij të fundit i tërheq vëmendjen “të mos humbë aleatët”.
“Autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë! Por i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me “forcë”! Prandaj duhet kërkuar një DIALOG I PALODHUR me Serbinë për të mos humbur edhe aleatët!” – shkroi Rama në Twitter.
Rama kërkon “dialog të palodhur me Serbinë”, por Majko thotë se me Beogradin që bën rolin e “të fortit” nuk mund të flitet. Sipas tij, sjellja e papërgjegjshme e politikanëve serbë në Kosovë e cila justifikohet me “krizën e targave” të makinës është ironi për tu marrë seriozisht.
“Ajo që mund të fillojë në Mitrovicë duket, në pamje të parë, si një skandal “të fortish” të cilët duan ti vënë flakën një realiteti të cilin refuzojnë që ta pranojnë. Me “të fortët” sjellja diplomatike nuk funksionon” – shkruan Majko.
“Serbia po tenton shkatërrimin e statuskuosë në rajon. Kjo do të ketë, në kushte ekstreme, pasoja me një gjakderdhje pa rregulla e cila do të shpërndahet si sëmundje në rajon” – shton socialisti i vjetër. Ai nënvizon se e gjitha është një strategji e Moskës për të krijuar destabilitet.
Rama vijon të këmbëngulë tek nisma “Ballkani i hapur”, por Majko thotë se serbët kuptojnë gjuhë tjetër.
“Serbët nuk kuptohen çfarë duan. Ata dinë vetëm të kundërtën. Ky është fati i një kombi që ka humbur rrugën dhe çdo sukses e mat me përfitimin financiar” – shkruan Majko.
Ndryshe nga Rama, Majko thotë se tani duhet gjakftohtësi dhe sa më pak “deklarime trimash”.
“Çdo tentativë për trajtim të njëjtë të palëve sipas parimeve teorike të trajtimit të barabartë nxit kulturën e gangsterit në Ballkan.
Kosova ka mbrojtjen legale të NATO-s. Problemi i Aleancës, aktualisht nuk është Kosova, por Ukraina. Një shpërthim i pakontrolluar në Kosovë e kthen çështjen në ushtarake. Bëjnë mirë që të mos presin kush do të jetë Duka Franc Ferdinand…i kohës sonë” – vëren Majko.