Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një fëmijë vetëm 6 vjeç ka qëlluar me armë zjarri brenda ambienteve të shkollës një mësuese. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas orës 14:00 ditën e premte në shkollën fillore Richneck në qytetin e Newport News. Mësuesja, e cila raportohet të jetë rreth 30 vjeçe, emri i të cilës nuk është bërë i ditur, ka mbetur e plagosur rëndë.
Policia po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Policia tha se e shtëna me armë nuk kishte qenë aksidentale. Ngjarja ndodhi në ambientet e klasës së parë, ndërsa thuhet se fëmija me mësuesen kishin debatuar më herët. Në shkollë ndodheshin më shumë se 500 nxënës, por fatmirësisht nuk pati persona të tjerë të lënduar.