Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me grabitjen spektakolare të pastrueses dhe të birit, në banesën e ish-zyrtares së lartë të qeverisë.
Siç u raportua më herët Rozeta dhe Havier Dobi, nënë e bir, kishin grabitur banesën e Alda Klosit, ish-shefe e kabinetit në ministrinë për rindërtimin kur drejtohej nga Arben Ahmetaj.
“Shuma përrallore vidhen tek këshilltarja e kryeministrisë! Nënë e bir kishin vjedhur tek zyrtarja e lartë Kryeministrisë qindra mijëra euro”, – shkruan Berisha.
Më tej ai thotë së “policia në komunikatën e saj mban sekret emrin e zyrtares së vjedhur Alda Klosit, ish shefe e kabinetit të zv.Kryeministrit famoz Arben Ahmetaj, tani këshilltare në kryeministri mbasi del problem origjina e parave të vjedhura” – shkruan Berisha.
“Burime dixhitale nga policia njoftojnë se shuma e gjetur tek nënë e birë është deri tani mbi 540 mijë euro. Kjo është shuma më e madhe e kapur ndonjëherë hajdutëve. Sipas këtyre burimeve hajdutët, paratë i kanë gjetur të fshehura në dy dyshekë.
Ndërkohë policia ka marrë urdhër i prerë të mos përmendet emri i këshilltares së Kryeministrisë të zhytur në euro smeralde, safirë flori dhe rubinë”, – pohon Berisha.