Ndërkohë që vazhdon gjyqi në Hagë ndaj ish-drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë prezantimit të mbrojtjes u bë e qartë se çështja do të rrotullohet rreth një pyetje: sa kontroll kishte Hashim Thaçi mbi UÇK-në?
Avokati i tij mbrojtës, Gregory Kahoe e bazoi mbrojtjen pikërisht te fakti se Thaçi nuk kishte kontroll, pasi UÇK nuk kishte strukturë të mirëfilltë drejtuese dhe se komandantët lokalë kishin pushtet më të madh.
Sipas gazetës britanike, ‘Guardian’, ky do të jetë pikërisht lëmshi më i vështirë për t’u sqaruar gjatë gjyqit.
“Përderisa prokuroria këmbëngul se dokumentet dhe deklaratat në atë kohë tregonin një përqendrim të lartë të pushtetit dhe drejtimit nga shtabi i përgjithshëm i grupit, avokati i Thaçit do të argumentojë se UÇK-ja ishte më e mjegullt, me Thaçin që gëzonte më pak ndikim sesa pretendohej në aktakuzë, në një organizatë bazë, sipas tij, besnikëria e së cilës ishte ndaj komandantëve lokalë.
Nëse kjo ka të ngjarë që të jetë një çështje e vështirë për t’u zgjidhur, ndërsa gjyqi vazhdon, kjo vjen për shkak se ata që edhe patën mundësinë të vëzhgojnë Thaçin dhe UÇK-në nga afër, mbeten edhe 25 vite më vonë, të pasigurt se sa autoritet kishte Thaçi në periudha të ndryshëm gjatë konfliktit dhe sa e centralizuar ishte UÇK-ja.
‘Ai ishte një oportunist,’ kujton njëri. ‘Ai ishte pjesë e strukturës komanduese, por kishte shumë rivalitet në nivel lokal. Pyetja është, çfarë kontrolli kishte dhe në çfarë mase e përdorte atë?’,” shkruan gazeta.
Në këtë artikull thuhet se gjyqi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve do ta rishkruajë historinë e luftës.
Në shkrim tregohet kronologjia e gjykimit të katërshes që nga arrestimi i tyre para më shumë se dy vitesh nën dyshimin se kanë kryer krime lufte.
Më tej thuhet se ky gjyq pritet të zgjasë deri në gjashtë vjet.