Thursday, December 26, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËGOMARI VESHGJATË, BOSTANI DHE ZORRAXHIU I TIRANËS

GOMARI VESHGJATË, BOSTANI DHE ZORRAXHIU I TIRANËS

Nga Agim Nesho – Fushatat elektorale në kohët moderne kanë karakteristikat e tyre, të cilat janë të lidhura me karakterin dhe formën e regjimit. Në regjimet diktatoriale dhe autokratike mesazhet kryesore lidhen me figurën e liderit dhe sukseset e tij. Në regjimet demokratike fushatat elektorale bazohen në mesazhet, vizionin, çfarë duhet të ndryshohet, pse dhe çfarë përfiton shoqëria. Mesazhi kryesor dhe himni i fushatës duhet të jetë i lidhur me qëllimin që duhet të realizojë fushata politike.

Në fushatën për zgjedhjet e 14 Majit, palët janë të polarizuara në qëndrimet e tyre politike, ashtu edhe në mesazhet e tyre. Rama ka zgjedhur veten e tij si simbol të fushatës, si përfaqësues të ‘së ardhmes’ dhe si himn elektoral tallavanë dhe muzikën e ahengut. Paraqitja e Ramës si simbol i të ardhmes, kur Rama nga dita në ditë përbën një figurë gjithnjë e më të diskretituar, simbol i korrupsionit dhe njeriut të disbalancuar që dashuron vetveten, kryeministrin pa ide dhe vizion, tregon se mazhoranca është e mbaruar dhe nuk ofron më asgjë. Vënia e portretit të tij në krye, jo vetëm kërkon të fshehë personazhet e PS që konkurrojnë, të cilët janë përzgjedhur nga shijet e liderit dhe ‘delezimit’ të pushtetit, por dhe të deklarimit të pushtetit të tij monist që ka kapur gjithë shtetin.

Himni i fushatës, tallavaja e tij, tregon marrëdhënien e tij emocionale me opinionin publik dhe konsideratën që ai ka për popullin shqiptar. Në mungesë të modelit dhe vizionit për të ardhmen, ai kërkon të kthejë fushatën në një spektakël iluzioni për të ruajtur dhe konsoliduar fasadën e jashtme dhe për t’ju larguar thelbit. Ai nuk do të japë llogari për të gjithë korrupsionin që po mbyt vendin, aferat abuzive të inceneratorëve dhe portit të Durrësit, shpenzimet e luksit, si përdorimi i avionit personal dhe 22 milionët e vlerës së udhëtimeve të tij. Me show-n dhe tallavanë e tij, ai dëshpërimisht kërkon të fshehë të shkuarën dhe të paraqitet si një aktor i ri.

Retorika e tij qesharake për rëndësinë dhe vlerat e bostanit, kastravecit dhe kungullit, apo thirrjet për mosfutjen e gomarit veshgjatë në Bashki, tregojnë që Shqipëria fatkeqësisht drejtohet nga klounë të rrezikshëm politikë, që fatet e vendit i shikojnë si një spektakël ku ata mund të luajnë si të duan.

Marrja e pozicionit të klounit vjen jo vetëm nga devijimet e tij të karakterit, të mbivlerësimit të vetes por edhe të fitores së tij personale, duke e nënshtruar, deformuar, shkatërruar Partinë Socialiste, duke depersonalizuar drejtuesit e saj dhe konsideruar si ‘dele’ që mund ti kullosë ku të dojë ai vetë. Nga ana tjetër, ai është tallur me kohë dhe me këtë popull me kusitë, tenxheren dhe tepsinë që donte ti kishte vetë në dorë dhe njerëzit e kanë duartrokitur. Vetë besimi se ky popull i duron në pafundësi abuzuesit dhe forcën e pushtetit i jep atij besim të luajë me të.

Sot që i ka dalë boja dhe është bërë i neveritshëm, i dëmshëm dhe i lodhshëm ai nuk ka frikë nga opinioni publik sepse ka kapur shtetin. Të vetmen mosllogaritje që bën në këtë fushatë është psikologjia e turmës së zemëruar, që është ngopur me sjelljen e tij abuzive, propagandën e shfrenuar, personalizimin e pushtetit dhe korrupsionin galopant. Retorika e Ramës dhe përsëritja e zorrës qorre dhe zorrës së trashë tregon shterpësinë e ideve të tij por edhe risjelljen në politikën shqiptare të vulgut dhe zhargonit të zorraxhiut. Kjo tallje e pakonceptueshme dhe e përsëritur e Ramës me opinionin publik është e frikshme dhe me pasoja për vendin nga një njeri që nuk njeh dhe respekton ligjet dhe kushtetutën. Në një vend normal të lirë do ta kishin shporrur me dru nga pushteti. Entuziazmi i Ramës që tani ka zbuluar zorrën qorre pas operacionit, ka nxitur ankth tek njerëzit, duke njohur karakterin plot ngjyra të kryeministrit, rolin e tij të misionarit, për ta paraqitur në zgjedhjet e ardhshme heqjen e apendicitit si një shpëtim dhe vizion për popullin për të ardhmen. Vetëm investimi për stadiumin e ‘Formula Uno’ është shumë pak për një udhëheqës global si ai për dekadën e ardhshme.

Populli e shpëtoftë Shqipërinë!

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME