Bernardo Silva raportohet se është shfaqur si objektivi kryesor i Paris Saint-Germainit për sezonin e ardhshëm.
Madje, “Le Parisien” ka raportuar se bisedimet mes PSG-së dhe portugezit kanë filluar tashmë, transmeton Gazeta Express.
Silva thuhet se vlerësohet si zëvendësuesi ideal i Lionel Messit, i cili pritet të largohet pas përfundimit të sezonit.
Aftësia e tij për të luajtur në pozicione të ndryshme dhe gatishmëria e tij për të kontribuar në mbrojtje e kanë bërë atë një kandidat ideal për të përforcuar PSG-në sezonin e ardhshëm.
Për 28-vjeçarin e interesuar është edhe Barcelona, por krahasuar me Barçën, PSG duket se ka avantazhin për të siguruar shërbimet e tij.
Klubi parisien posedon burime më të mëdha financiare, duke e bërë më të arritshme një tarifë transferimi prej 80 milionë eurosh.
Silva ka edhe dy vite të mbetura në kontratën e tij me Manchester Cityn, duke i bërë negociatat një faktor kyç në lëvizjen e tij të mundshme.
Agjenti i ish-futbollistit të Monacos, Jorge Mendes, gjithashtu mban një marrëdhënie të fortë me PSG-në, veçanërisht përmes Luis Campos, këshilltarit sportiv të klubit.
Këto lidhje mund të jenë të rëndësishme në një transferim të Silvas në “Parc des Princes”. /Gazeta Express/