Një aksion i policisë që synonte të godiste bandat e drogës në 3 shtete braziliane ka lënë të vdekur të paktën 43 persona. Në operacionin e fundit të zhvilluar në Rio de Zhaneiro, policia tha se policia iu përgjigj zjarrit me zjarr duke vrarë të paktën 10 persona. Më herët, 14 persona humbën jetën në përleshjet gjatë një bastisjeje 5-ditore të policisë në shtetin e São Paulo në një operacion të quajtur “Mburoja”. Ndërsa në shtetin verilindor të Bahia, zyrtarët thonë se 19 të dyshuar janë vrarë që nga e premtja.
58 persona u arrestuan gjatë operacionit në shtetin São Paulo, i cili filloi pasi një oficer policie i forcave speciale u vra të enjten në qytetin bregdetar Guarujá. Policia sekuestroi 385 kg lëndë narkotike si dhe armë. Operacioni në Guarujá u kritikua nga Ministri i Drejtësisë i Brazilit, Flavio Dino, i cili tha se reagimi i policisë nuk ishte proporcional me krimin e kryer.
Gjatë një interviste të martën, guvernatori i shtetit të São Paulo, Tarcisio de Freitas tha se dy oficerë policie ishin në mesin e 14 personave që humbën jetën gjatë përleshjeve. Në Rio de Zhaneiro, një “mbret” i trafikut të drogës dhe një trafikant ishin mes 10 personave të vrarë të mërkurën. 4 të tjerë u plagosën duke përfshirë një polic.
Sipas policisë ushtarake të qytetit, operacioni në një grup favelash në veri të qytetit, nisi pasi informacionet e inteligjencës sugjeruan se në atë zonë do të zhvillohej një takim i drejtuesve të trafikut të drogës. Dëshmitarët okularë u thanë mediave lokale se dëgjuan disa të shtëna dhe përleshje mes anëtarëve të bandës së armatosur rëndë dhe policisë.
Shkollat përreth nuk u hapën të mërkurën duke detyruar rreth 3 220 nxënës të qëndrojnë në shtëpi. Vizitat në shtëpi të organizuara nga shërbimi shëndetësor kombëtar u pezulluan për shkak të sigurisë. Korrespondentja e BBC në Amerikën e Jugut, Katy Watson thotë se dhuna policore nuk është e re në Brazil. Çdo javë, ka të shtëna që lënë njerëz të vdekur.
Rio de Janeiro është një nga shtetet më të dhunshme të Brazilit dhe operacionet për të luftuar krimin e drogës në zona të tilla si favelat shpesh çojnë në vdekje dhe akuza se autoritetet janë të trajnuar keq. Ndërsa në shtetin verilindor të Bahia, përleshjet midis policisë dhe anëtarëve të bandave u zhvilluan rreth qyteteve Salvador, Itatim dhe Camaçari. Gjatë 3 operacioneve u sekuestruan armë, telefona dhe drogë.
Korrespondentja e BBC tha se në vend ka një tablo të ndërlikuar pas rritjes së nivelit të dhunës me armë dhe frikës për sigurinë. Ajo shton se ka gjithashtu thirrje në rritje për të shqyrtuar shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera nga policia.