Mallakastër – Finalizohet pas një hetimi 1-mujor, operacioni policor i koduar “Gryka”, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Gjenden dhe sekuestrohen 200 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa. Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i kultivimit, procedohet në gjendje të lirë babai i tij.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, efektivët e Komisariatit të Policisë Mallakastër kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit. Si rezultat i një hetimi njëmujor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, është finalizuar operacionin policor i koduar “Gryka”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Arjan Çanaj, 55 vjeç dhe u procedua në gjendje të lirë, babai i tij, shtetasi Sadik Çanaj 72 vjeç, banues në Klos, Mallakastër, pasi në fshatin Klos, në një parcelë rrushi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 200 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.