Motori ishin pasioni i tij i madh. Që kur ishte fëmijë. Ai bënte shpesh postime në rrjetet sociale për një mikun e tij të ngushtë, i cili kishte humbur jetën vite më parë në një aksident me motor. Dhe, për ironi të fatit, e njëjta histori përsëritet edhe për të. Pasditen e vonë të së enjtes së 7 shtatorit, Aldo Gjoka, 29-vjeçari lindur në Tiranë, por banues në Leçe, gjeti vdekjen pranë Torre Specchia.
Ai ishte duke lëvizur me motorin e tij, kur për shkaqe ende të paqarta, i riu është përplasur me një makinë, një Jaguar që drejtohej nga një 44-vjeçar gjithashtu me origjinë shqiptare. Për shkak të goditjes jashtëzakonisht të fortë, makina ka goditur një parmak ndërsa Aldo Gjoka është përplasur me murin rrethues të një prone private duke e rrëzuar atë. Gjithashtu u shkatërrua një shtyllë ndriçimi. Motori mori flakë duke shkrumbuar edhe dokumentet e drejtuesit duke vështirësuar fillimisht identifikimin e tij.
Disa shoferë kalimtarë lajmëruan shërbimet e urgjencës. Përpjekjet për ta ringjallur të riun ishin të kota pasi ai praktikisht ndërroi jetë menjëherë kjo pasi lëndimet që kishte marrë rezultuan shumë të rënda. Drejtuesi i makinës, në gjendje konfuze, u dërgua në spital për kontrolle të mëtejshme dhe për t’iu nënshtruar testeve të alkoolit dhe drogës. Pas pak minutash në vendin e tragjedisë kanë mbërritur edhe disa nga miqtë e viktimës.
Automjetet janë sekuestruar. Lajmi për vdekjen e të riut u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale. Gjoka jetonte në Leçe me familjen e tij. Ishte shumë i lidhur me nënën të cilës i kishte kushtuar një postim të gjatë vetëm pak javë më parë me rastin e ditëlindjes së saj. “Nuk mund ta besoj”, – shkruan një mik, ndërsa ka nga ata që e lidhin fatin e Gjokës me atë të Cristiano Spedicato, mikut të tij më të mirë, i cili vdiq më 15 qershor 2018, vetëm 23 vjeç, sërish në një aksident me motor në hyrje të Leçes. ©La Repubblica, LAPSI.al