Tensionet spirale midis Prishtinës dhe Beogradit kanë përfunduar sërish tek dhuna. Strategjia ndërmjetësuese e Bashkimit Evropian nuk po funksionon
Në fundjavë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli i dëshpëruar në lidhje për një dekadë bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila vazhdon të refuzojë të njohë statusin e pavarur të vendit të tij. Në një intervistë për “The Guardian”, Kurti pohoi se negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian rrezikojnë të arrijnë në një qorrsokak. Menjëherë pas publikimit, pati një konfirmim ogurzi se me të vërtetë është arritur një “nadir” (pika më e ulët). Në një përshkallëzim serioz të tensioneve, 5 persona, përfshirë 1 polic kosovar, u vranë pas një pritë nga njerëz të armatosur të paidentifikuar pranë kufirit me Serbinë.
Për BE-në dhe shefin e saj të politikës së jashtme, Josep Borrell, pasojat e dështimit diplomatik shtrihen shumë përtej fatit të skajit verior të Kosovës, me popullsinë e saj shumicë serbe. Në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës, BE-ja ka dyfishuar përpjekjet e saj për të ankoruar Ballkanin Perëndimor brenda orbitës së tij dhe për të penguar ndikimin e Moskës. Por të shtënat e së dielës tregojnë se në këtë pikë të nxehtë ballkanike, qasja e tij nuk po funksionon.
Marrëveshja që dukej e madhe, pranverën e shkuar, detyronte Serbinë ta njihte shtetësinë e Kosovës në këmbim të fuqisë gjysmëautonome për komunat me shumicë serbe në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paturpësisht ende nuk e ka nënshkruar marrëveshjen dhe është mburrur publikisht për këtë. Në prill, Qeveria e tij kundërshtoi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kurti nuk ka ofruar vetëmenaxhimin politik në zonat me shumicë serbe të Kosovës. Ai është përballur me vendasit përmes vendosjes së njësive speciale të policisë dhe kontrollit të zgjedhjeve të dështuara lokale atje, bojkoti i së cilave çoi në pjesëmarrje prej 4%.
Kështu, një vallëzim diplomatik rrezikon të shndërrohet në dhunë serioze. Por për këtë, Borrelli mund të duhet po ashtu të mbajë përgjegjësi. Kurti pohon se rënia e besimit te Kosova ka ardhur për shkak të “humbjës së neutralitetit” tek i dërguari special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak. Këtë verë, një grup politikanësh të lartë perëndimorë vunë në pah pothuajse të njëjtën çështje për “politikën e Perëndimit në Ballkan me Beogradin në qendër”.
Brukseli dhe Washingtoni duket se i kanë dhënë prioritet nevojës për ta mbajtur Vuçiçin në krah, duke pasur parasysh ndikimin rajonal të vendit dhe lidhjet e rëndësishme me Rusinë. Duke vepruar kështu, ata rrezikojnë të neglizhojnë nevojën për ta mbrojtur Kosovën nga makinacionet e një fqinji ngacmues dhe shumë më të madh, e që beson se nuk ka të drejtë të ekzistojë. Duke pasur parasysh këto rrethana, dhe historinë më të re në Ukrainë, nuk është aspak befasuese që Kurti të ketë dyshime për t’u dhënë më shumë pushtet serbëve të Kosovës me prirje separatiste në veri. Ndërkohë në prapavijë, Rusia ka bërë çmos për të nxitur dhe shfrytëzuar paqëndrueshmërinë, teksa presidenti serb zakonisht manipulon me krizat për të marrë mbështetje nacionaliste në vend.
Disa shtete të Bashkimit Evropian thonë se edhe Kurti ka bërë gabime. Ai ka nxitur në mënyrë të pamatur pakënaqësitë në veri, ku autonomia më e madhe do të jetë pashmangshëm pjesë e çdo zgjidhjeje të suksesshme. Por kjo është çështje e statusit përfundimtar që duhet të shkojë në mënyrë paralele me lëvizjet nga Beogradi. BE-ja gjithashtu duhet ta rregullojë shtëpinë e vet. 5 anëtarë të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën deri tani, duke u dhënë barasvlerë të gënjeshtërt rrethanave të pavarësisë së saj dhe problemeve të tyre me pakicat. Një Evropë më e bashkuar do të ishte ndërmjetëse më autoritare dhe efektive në një rajon të trazuar dhe jetik. ©The Guardian,