Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se do të fillojnë hetimet për helmimin e 140 personave në Malishevë. Në njoftimin për mediet, thuhet se prokuroria ka paraqitur kërkesën për paraburgim ndaj të pandehurit Kujtim Shala. Dyshohet se Shala ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”.
Ngjarja ka ndodhur në një restorant më 13 tetor, në Malishevë dhe dyshohet se u shkaktua si pasojë e ngrënies në një lokal të ushqimit të shpejtë.
Ndërkohë personat e helmuar janë shtruar në QKUK në Prishtinë dhe disa në spitalin e Prizrenit. Nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se lokali ku u helmuan personat është mbyllur përkohësisht.