Sali Berisha ka mbledhur Këshillin Kombëtar të PD-së në selinë blu. Gjatë fjalës së tij ai foli për dosjen e SPAK. Ai theksoi se një komb pa opozitë jeton në natën më të zezë të Edi Ramës, pasi kjo ndodh kur të gjitha pushtetet janë në dorën e një njeriu. Më poshtë pjesë nga fjala e Berishës.
Të dashur anëtare anëtarë të Këshillit Kombëtar, një përshëndetje të përzemërt të gjithëve ju këtu. Sot përshëndes në emrin tuaj, qindra e mijëra mbështetës të PD, kudo që janë.
Ne mblidhemi sot në një nga momentet më kritike, ndofta në momentin më kritik në historinë e pluralizmit politik të Shqipërisë. Në momentet e fillimit të betejës tonë pa kthim dhe vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë, opozitës së vërtetë, pluralizmit politik si motor i ekzistencës dhe zhvillimit të një shoqërie të lirë.
Karls Marksi, idhulli i etërve mizorë të Edi Ramës, por edhe kripto idhulli i Edi Ramës ka thënë 160 vite më parë një shprehje; kuptimi i paqes është mungesa e opozitës. Për kryefilozofin e terrorizmit, paqja ishte diktatura, dhe në këtë kontekst, i bazuar në këtë parim ç’njerëzor Enver Hoxha shndërroi luftën çlirimtare në luftë civile. Pushkatoi në vitin 1946 opozitën parlamentare dhe pastaj me mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë që guxuan të kundërshtojnë politikën e tij shtypëse.
Shqiptarët pa opozitë përjetuan një diktaturë të trefishtë si asnjë vend tjetër, luftën e klasave, tiraninë e urisë dhe mjerimit, diktaturën e izolimit.
U ndala në këtë moment sepse më mirë se ne, askush nuk duhet ta dijë se çdo të thotë një komb pa opozitë. Një komb pa opozitë jeton në natën e tij më të zezë.
Por po kështu, në ato vite të paqes të Karl Marksit, interesi kombëtar u shkelmua në mënyrën më të padenjë. Të gjitha këto u realizuan sepse të gjitha pushtetet ishin përqendruar në dorën e një njeriu.