Një 53-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri në Guajakil të Ekuadorit, ditën e arrestimit të kreut të kompanisë “Bello” Dritan Rexhepi nga policia turke në një kompleks rezidencial në Stamboll.
53-vjeçari shqiptar Arjanit Rizaj është ekzekutuar me armë zjarri para spitalit “Luis Vernaza”, ku kishte shoqëruar bashkëshorten e tij dhe vetë po qëndronte brenda një automjeti të parkuar, raportojnë mediat e ekuadoriane.
Banorët dhe disa shitës të zonës thanë për autoritetet se në drejtim të shqiptarit është qëlluar nga një motoçikletë e bardhë me të cilën po lëviznin dy persona. Ata u larguan në drejtim të paditur pasi kryen vrasjen. Sipas informacioneve paraprake nga Policia Kombëtare, vrasësit kanë përdorur një armë zjarri të kalibrit 9 milimetra.
Fillimisht Rizaj u dërgua në urgjencën e spitalit “Luis Vernaza”, e më pas në klinikën “Panamericana”, ku mjekët tentuan ta mbanin në jetë, por plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit ishin të rënda duke i shkaktuar vdekjen.
Bashkëshortja e 53-vjeçarit të ndjere ka deklaruar për hetuesit se ajo e pa skenën nga shumë pranë.
Ajo u tha oficerëve se nuk e dinte motivin e sulmit ndaj bashkëshortit. Sipas saj, Rizaj nuk punonte pasi nuk kishte dokumente të vlefshme në Ekuador, prandaj mbijetonte me paratë që i dërgonte nga Shqipëria familja e tij, ose vëllai i tij që banonte në Kanada.