Lajmi për diagnostikimin me kancer të Mbretit Charles III, i bërë publik nga vetë Buckingham Palace ka ngritur një sërë pyetjesh, duke nisur nga gjendja reale të monarkut dhe mbi të gjitha nëse ai do të jetë në gjendje të vazhdojë të mbajë detyrën. Nëse Charles do të abdikonte, do të ishte djali i tij William, i cili është i pari në linjën e trashëgimisë për t’u ngjitur në fronin britanik. Por abdikimi, edhe nëse ka tashmë një precedent, nuk është i vetmi skenar i mundshëm.
Abdikimi është një ngjarje shumë e rrallë në historinë e monarkisë britanike. Abdikimi i fundit ka ndodhur në vitin 1936, kur mbreti i atëhershëm Eduard VIII hoqi dorë nga kurora për t’u martuar me Wallis Simpson, një aktore amerikane dhe më e rëndësishmja për kohën, që ajo ishte një e divorcuar. Martesa me një person të divorcuar konsiderohej tabu në monarkinë britanike për qindra vjet.
Nëse abdikimi do të kryhej për arsye shëndetësore, Uilliami do të zinte vendin e Mbretit Charles që ka qenë në krye të shtetit që nga 8 shtatori 2022. Pas vjen djali i tij George dhe më pas Princesha Charlotte, Princi Louis, Duka Harry i Sussex, Princi Archie, Princesha Lilibet dhe në fund Duka i Jorkut, Andrew. Edhe Harry, edhe Andrew mbeten në linjën e pasardhësve të fronit, pavarësisht polemikave që rrethojnë.
Megjithatë ka edhe një skenar tjetër. Bob Morris, bashkëpunëtor nderi kërkimor në Njësinë Kushtetuese të Kolegjit Universitar të Londrës shpjegoi se në rast të shëndetit të keq të monarkut mund të hynte në veprim “Akti i Regjencës”, i cili do të aktivizohej nëse mbreti mbetej i paaftë për të folur ose për të lëvizur për shkak të një sëmundjeje.
“Akti i Regjencës”, versioni i fundit i të cilit u përditësua në 2022 pas atij të vitit 1937, rregullon pikërisht këtë lloj urgjence dhe parashikon që “Këshilltarët e Shtetit” të zëvendësojnë mbretin. Në këtë rast, përveç William, një rol të rëndësishëm do të merrte edhe mbretëresha Camilla. Harry, Andrew dhe vajza e tij e madhe Beatrice do të kualifikoheshin gjithashtu për të trajtuar disa nga punët e mbretit.
Ishte vetë Mbreti Charles, pas vdekjes së Elizabeth II, ai që i kërkoi Parlamentit të ishte në gjendje të përditësonte listën e Këshilltarëve të Shtetit dhe të zgjeronte mundësinë e zëvendësimit të sovranit edhe tek motra e tij Anna dhe vëllai Eduard, duke marrë parasysh faktin se siç janë gjërat si Princi Andrew dhe Princi Harry janë shkëputur efektivisht nga Pallati Buckingham.