Aksidenti i sotëm në rrugën Kardhiq-Delvinë, me pasojë vdekjen e një shoferi nga Ukraina, përveçse ngre pikëpyetje të shumta për sigurinë e rrugës duket se po fsheh edhe diçka tjetër. Në njoftimin e shpërndarë për mediat, policia e Gjirokastrës tregonte për kamion të ngarkuar me çimento.
Ndërkohë e vërteta është se kamioni që drejtohej nga ukrainasi ishte me naftë bruto të marrë nga puset e Delvinës. Kjo ishte lehtësisht e verifikueshme nga shpërthimi i zjarrit që vijon ende në këto momente në vendin ku ndodhi aksidenti. Gazetarët që shkuan në vendin e ngjarjes raportuan gjithashtu për lëndë djegëse.
Bën përshtypje fakti se pavarësisht kësaj dhe kur kanë kaluar disa orë nga ngjarja, policia nuk e ka saktësuar njoftimin për të thënë që kamioni ishte i mbushur me naftë. A mos ndoshta jemi para një rasti kontrabandimi të naftës? Dihet dhe pranohet gjerësisht se një pjesë e naftës në Shqipëri qarkullon kontrabandë. Policia e Shtetit dhe prokuroria kanë detyrimin të sqarojnë rastin në fjalë.