Saturday, November 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMIVaroufakis: Kapitalizmi ka vdekur, jetojmë në tekno-faeudalizmin e Amazon dhe Alibaba

Varoufakis: Kapitalizmi ka vdekur, jetojmë në tekno-faeudalizmin e Amazon dhe Alibaba

Kërcënimi vjen prej prej feudalëve të botës së re” kështu paralajmëron Yanis Varoufakis, ish ministër i financave të Greqisë, Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes për Demokraci në Europë, autor i shumë librave për kapitalizmin dhe teknologjinë. Në një bisedë me Ditmir Bushatin në emisionin e këtij të fundit në You Tube “Publ

Kërcënimi vjen prej prej feudalëve të botës së re” kështu paralajmëron Yanis Varoufakis, ish ministër i financave të Greqisë, Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes për Demokraci në Europë, autor i shumë librave për kapitalizmin dhe teknologjinë. Në një bisedë me Ditmir Bushatin në emisionin e këtij të fundit në You Tube “Public Square”, ai thotë se kemi hyrë në periudhën e tekno-feudalizimit, ku tregu i dikurshëm është zëvendësuar nga platforma digjitale të tipit Amazon.com, Alibaba, Uber apo AirBnb.
Sot “në vend të pronarit feudal që merrte një pjesë të prodhimit në fund të periudhës së të korrave, kemi sipërmarrës që përdorin lloje të ndryshme prodhimi, si puna, kapitali, toka, dhe marrin deri në 40% të fitimit”. Ai flet dhe për inteligjencën artificiale duke treguar se çfarë mund të bëhet më mirë në këtë drejtim, për të korrur frytet e këtij zhvillimi të vrullshëm teknologjik dhe për të reduktuar pasiguritë, ndasitë dhe pabarazitë e mëdha që ekzistojnë?

Ditmir Bushati: Mirë se erdhët në Public Square Yanis! Është kënaqësi t’ju kemi këtu.

Yanis Varoufakis: Kënaqësia është e gjitha e imja. Faleminderit për ftesën.

Ditmir Bushati: Disa vjet më parë ju shkruat një libër për thelbin e kapitalizmit, ku në fakt iu përgjigjët pyetjeve të vajzës tuaj, në lidhje me pabarazinë dhe se pse ka kaq shumë pabarazi. Kohët e fundit keni botuar një libër për tekno-feudalizmin që po vret kapitalizmin. Në këndvështrimin tuaj, tregu po zëvendësohet nga platformat digjitale tregtare dhe fitimi po zëvendësohet nga qiraja. A mund t’i shtjelloni më shumë implikimet në drejtimin politik dhe ekonomik të kësaj situate?

Yanis Varoufakis: Faleminderit që më dhatë mundësinë të flasim për këtë. Së pari, kur them se kapitalizmi tashmë ka vdekur, kjo tingëllon si një pretendim qesharak, sepse kudo që hedhim vështrimin mund të shohim triumfin e kapitalit, por kjo nuk kundërshton tezën time. Gjithçka varet sesi përkufizohet kapitalizmi. Nga këndvështrimi im, një mënyrë e thjeshtë sesi duhet parë kapitalizmi është si një model social-ekonomik prodhimi, një sistem, që mbështetet mbi dy shtylla, dy themele. Njëri është tregu, ku realizohet i gjithë aktiviteti ekonomik, çka nuk ishte kështu në feudalizëm apo në çfarëdo lloj shoqërie përpara kapitalizmit. Dhe tjetra është se qiratë ua kanë lënë vendin fitimeve. Pra, në vend të pronarit feudal që merrte një pjesë të prodhimit në fund të periudhës së të korrave, tani kemi sipërmarrës që përdorin lloje të ndryshme prodhimi, si puna, kapitali, toka, dhe marrin fitimin e tyre. Fitimi ishte lënda dhe tregu ishte vendi ku aktivitetit ekonomik zhvillohej në kapitalizëm. Në rregull?

Tani, në çastin që ne futemi në një nga këto platformat e mëdha digjitale tregtare, qoftë Amazon.com apo Alibaba apo Uber apo AirBnb, apo në fakt çdo lloj platforme digjitale që mbështetet në të dhëna të grumbulluara nga Google, nga Apple, etj., në çastin që futesh tek Amazon.com, po zgjedh këtë sepse është shembull i mire, në çastin që futesh tek Amazon.com, ti del nga kapitalizmi. Sepse Amazon.com nuk është treg. Duket si një treg, sepse ka shumë blerës dhe shumë shitës në të, por nëse e mendon, algoritmi të merr, di shumë gjera për ty, ka njohuri shumë të mëdha për ty dhe kjo është arsyeja që rekomandimet e tij për librat apo gjëra të tjera janë shumë të mira, sepse të njeh. Pra, ti e ke trajnuar algoritmin të të trajnojë ty, që të trajnosh algoritmin që të të njohë ty vërtet shumë mirë. Ky algoritëm i njeh blerësit shumë mirë, në mënyrë të përkryer, në të njëjtën mënyrë. Pra, përputh një blerës me një shitës në mënyrën që askush nuk e kupton dot përveç personit që e ka në pronësi algoritmin. Dhe përputh një blerës dhe një shitës me qëllimin për të maksimizuar qiranë që i merr shitësit për çdo shitje që të bën ty. Për një biçikletë elektrike, një libër, një disk, çdo gjë, deri në 40% mbahet nga Jeff Bezos, pronari i algoritmit. Ky algoritëm, sigurisht, është një lloj kapitali sepse nuk ekziston në internet. Unë e quaj kapital virtual (cloud capital), por ekziston në tokë. Është në ferma me serverë, në kabllot e fibrave optike, antenat e telekomunikacionit dhe të tjera. Pra, faktikisht kemi një formë të re kapitali, që quhet kapital virtual, që mund të bëjë shumë gjëra njëherësh. Mund ta kapë vëmendjen tënde në një mënyrë sesi e kapnin dikur programet televizive. Së dyti, mund të të fusë ide në kokë në lidhje me produktet që dëshiron, ashtu siç bënin reklamat. Por tani, është një proces dialektik i dyanshëm dhe i pafund, të trajnon ty ta trajnosh atë që të trajnojë ty të trajnosh atë që të trajnojë ty që ta trajnosh atë që t’ia bëjë këtë mendjes tënde, apo jo? Nuk është si reklamë televizive, që vjen tek ty vetëm në një mënyrë. E treta që bën është se gjithçka realizohet nëpërmjet aktiviteteve të tua si përdorues. Ti prodhon punë që nuk paguhet, punë me të cilën ti rimbush dhe riprodhon kapitalin virtual të atij algoritmi. Në fund, ajo që ndodh është se pronari i atij kapitali virtual shfrytëzon punën tënde falas me qëllim maksimizimin e fuqisë së tij për të marrë 40% të çmimit të sendit të cilin të bind ty ta blesh dhe gjithashtu ta shet ty atë direkt duke anashkaluar çdo treg. Amazon të bind ty të blesh diçka dhe pastaj ta shet ty atë. Dhe në depon e Amazon-it ku sendi ambalazhohet dhe dërgohet me postë, punëtorët, proletarët që punojnë me punë të paguar nxiten nga një pajisje digjitale, të cilën e mbajnë në kyçin e dorës me të njëjtin algoritëm që punon më shpejt dhe puna e tyre mbikëqyret.

Ajo që dua të them është se, njerëz ky nuk është më kapitalizëm. Bazohet mbi një formë shumë të fuqishme kapitali mutant, të cilin unë e quaj kapital virtual. Por ky është një lloj i ri i tekno-feudalizmit, sepse platforma ku zhvillohet ky aktivitet tregtar, është një lloj çifligu feudal në pronësi të një pronari feudal, pronari tekno-feudal, i cili mbledh tarifa ashtu si bënin dikur pronarët feudalë, përveçse në këtë rast pushteti i tij nuk vjen nga trashëgimia. Ai nuk është vetëm i biri i pronarit të tokës, por ai ka përdorur shuma shumë të mëdha kapitali dhe parash për të investuar në teknologjitë digjitale, që e bëjnë atë një lloj pronari tekno-feudal. Dhe fundi i kësaj përgjigjeje të gjatë ndaj pyetjes tënde shumë të mirë është se, shumica e parave vjen nga bankat qendrore. Nëntë nga çdo dhjetë dollarë që janë shpenzuar me qëllim prodhimin e këtij kapitali të mrekullueshëm virtual vijnë nga bankat qendrore pas kolapsit të madh financiar të vitit 2008. Kjo është bota e re. Nuk është kapitalizmi siç e njohim ne.

Ditmir Bushati: Pra, faktikisht ajo që po thoni është se kapitali virtual e ka inxhinieruar dhe monetizuar sjelljen tonë. Dhe kështu jemi faktikisht në një garë brutale për klikime, për të dhëna. Pyetja që kam është, si lidhet kjo me individin liberal? Pra, si ta mbrojmë gardhin e individëve liberalë në këtë ekosistem apo në këtë botë të re që është krijuar?

Yanis Varoufakis: Oh, është shumë vonë. Ka ikur kjo mundësi. Nuk ka më gardh mbrojtës. Unë jam i majtë, vij nga një traditë Marksiste. Por nuk duhet të dëshpërohemi vetëm ne të majtët për çka po ndodh. Liberalët duhet të ngrihen në këmbë për shkatërrimin që po bëhet, për vrasjen e individit liberal. Por më lejoni ta shtjelloj më tej. Me shumë të drejtë, ju përqendroheni tek ndryshimi i sjelljes njerëzore, sepse shihni diferencën e thellë ndërmjet kapitalit virtual dhe formave të mëparshme të kapitalit, kapitalit tradicional, pavarësisht nëse kemi të bëjmë me motorrë me avull apo traktorë, apo sot me robotë industrialë shumë të përparuar. Këta janë të gjitha forma të vjetëruara të kapitalit, sepse krijojnë mjete të prodhuara për prodhim. Ato janë makineri që janë prodhuar nga njerëzit për të prodhuar gjëra të tjera. Ky është kapitali siç e kemi kuptuar: mjete të prodhuara për prodhim. Por algoritmi që jeton në telefonin tënd, inteligjenca artificiale (AI), e gjithë kjo infrastrukturë fizike, ferma gjigande serverësh, atë që unë e quaj kapital virtual, nuk është mjet i prodhuar për prodhim, është një mjet i prodhuar për ndryshimin e sjelljes njerëzore. Kushdo që e ka në pronësi këtë kapital ka kapacitetin për të modifikuar sjelljen tonë. Dhe është e dyanshme. Henry Ford, General Electric, Coca-Cola, McDonalds, të gjithë kanë akses tek reklamues shumë të talentuar që kanë modifikuar sjelljen tonë. Ata na futën në mendje dëshira që nuk i kishim, ata na bënë të duam gjëra që nuk i donim në të vërtetë. Ky është pushtet i madh, por këta ishin qenie njerëzore, dhe ngaqë ishin qenie njerëzore, ky ishte proces me një kah. Pra, një reklamues i madh krijon një reklamë për McDonalds, që ti e shikon dhe thua me vete “ah, e dua një Big Mac”, dhe pastaj shkon tek McDonalds që ta blesh dhe këtu mbaron historia. Reklama u shfaq në televizor me një poster, nga aty kaloi në mendjen tënde dhe pastaj ti shkove tek dyqani i Mcdonalds dhe bleve produktin. Tani është një proces i pafund i dykahshëm, makina të influencon ty, që të influencosh makinën që ajo të të influencojë ty më mirë që ti të influencosh atë që ajo të të influencojë ty më mirë, etj., që ti të ndryshosh sjelljen. Kushdo që e ka këtë pushtet, që e ka në pronësi këtë kapital, është shumë herë më i pushtetshëm sesa kanë qenë ndonjëherë Henry Ford, McDonalds apo Coca-Cola. Dhe më e rëndësishmja është se pronarët e këtij kapitali virtual nuk punojnë më për kapitalizmin. Pra, sikur të ishe një reklamues i mirë, do punoje për një kapitalist, kishe një klient që ishte kapitalist, dhe ti e ndihmove kapitalistin të rriste kërkesën për mallra kapitaliste. Por tani po të jesh Jeff Bezos, nuk punon për ndonjë kapitalist, nuk ke nevojë për një të tillë, ti je në fakt pronari. Vasalët e tu janë kapitalistë. Ata vijnë tek ti dhe ata po paguajnë deri në 40 % të asaj çka ata marrin nga konsumatorët, dhe në të njëjtën kohë të gjithë konsumatorët janë gjithashtu prodhues të kapitalit të tyre virtual, sepse sa herë që ti shkon tek Amazon.com ti rimbush stokun e kapitalit virtual që i përket Jeff Bezosit. Çdo përshtypje që jep në internet për një libër apo për ndonjë produkt, apo pëlqime që jep e gjëra të tilla u shton kapitalin atyre. Pra, të gjithë punojnë për këta pronarë tekno-feudalë. Prandaj them se nuk ndihmon të mendosh më për këtë sistem sot si kapitalizëm. Ndaj dhe nuk e përdor më fjalën kapitalizëm, gjë e cila, unë e di, që është shumë e vështirë për njerëzit.

Po le t’i kthehemi përsëri pyetjes tuaj për individin liberal, dhe këtë përpiqem ta shpjegoj edhe në libër. Liberalët mendonin se rëndësia e tregjeve në kapitalizëm, arsyeja pse e mbronin kapitalizmin ishte sepse për ta tregu ishte sfera e lirisë. Ti je një konsumator sovran, ti dëshiron një coca-cola dhe askush s’e ka të drejtën të të thotë se ti nuk e dëshiron një coca-cola, apo jo?! Dëshirat e tua janë sovrane. Mbase pati një ndikim, por në fund të fundit ti vendose se çfarë doje. Dhe mund të shisje dhe blije çfarëdo që të lejonte portofoli. Pra, nëse deshe të shisje krahun e punës, e bën këtë, kalon tetë orë duke punuar në një zyrë, apo depo, apo një supermarket, në një fabrikë, dhe pastaj në fund të ditës, në fund të atyre tetë orëve, ti punoje për veten, i relaksuar, kishe kapacitetin për të zgjeruar horizontin tënd, të lexoje libra apo gjëra të tilla. Ndërsa sot, nuk ndodh më kështu. Dhe nuk ndodh kështu sepse për shembull, le të marrim të rinjtë. Unë kam qenë akademik gjithë jetën, kjo fatkeqësisht u ndërpre nga politika, por megjithatë akoma mendoj si profesor, dhe kam vënë re këtë ndryshim themelor në mënyrën sesi sillen dhe mendojnë studentët apo të rinjtë. Sepse tani, kur shkojnë në një intervistë pune, e dinë se intervistuesit, nganjëherë tani paneli i intervistuesve janë algoritme. Algoritmet intervistojnë studentët apo punonjësit e ardhshëm. E dini që tani ka edhe intervista të realizuara nëpërmjet inteligjencës artificiale si filtrim i parë i kandidatëve? Pavarësisht nëse janë njerëz apo inteligjencë artificiale, gjëja e parë që bëjnë është se të shohin profilin në rrjetet sociale, faqen tënde në Facebook, çfarë ke postuar në Instagram, TikTok, postimet në rrjetin X. Bëjnë përmbledhje të çdo gjëje, apo të bëjnë ty një përmbledhje. Me fjalë të tjera, të rinjtë, edhe kur janë në shtëpi në mes të natës, postojnë ndonjë gjë në TikTok, në mendjen e tyre ata e dinë se do të gjykohen në bazë të postimeve që bëjnë, edhe sikur kjo të mos jetë e ndërgjegjshme, por e pandërgjegjshme. Pra nuk ka asnjë kufi, vijë ndarëse, gardh mbrojtës që të ndajë punën nga kënaqësia. Ata jetojnë me ankthin e pandërprerë të krijimit të një personaliteti që do të jetë i pranueshëm dhe i dëshirueshëm nga Google, nga Facebook, nga pronarët tekno-feudalë, kapitalistët virtualë, siç i quaj në librin tim. Dhe kur është fjala për punën, e dimë se, madje që nga fillimi me postën elektronike, nuk ka një ndarje të qartë ndërmjet kohës së punës dhe kohës së pushimit. Pra, ajo ndarje që liberalët e vlerësonin, dhe që për të cilën ishin të përgatitur të mbështetnin kapitalizmin si një sistem për rritjen e lirisë, është zhdukur.

Ditmir Bushati: Si po zhvillohet tekno-feudalizmi në rrethanat e tanishme të gjeopolitikës? Ju përmendët që shumica e kapitalit po jepet nga bankat qendrore, dhe dimë edhe tekno-konkurrencën ndërmjet SHBA-së dhe Kinës, por ka edhe pika të nxehta në Lindjen e Mesme, në Europë, dhe kudo. Pra, si do të shihet apo do të zhvillohet kjo në rrethanat e reja gjeopolitike sipas këndvështrimit tuaj?

Yanis Varoufakis: Me tekno-feudalizmin kemi njëherësh dy forca destabilizuese. E para është, në mbështetje të hipotezës time se fitimi po zëvendësohet nga qiraja virtuale. Po të krahasosh General Motors apo Volkswagen nga njëra anë, dhe Facebook nga ana tjetër, të gjitha kompanitë si Volkswagen apo General Motors paguajnë rreth 85% të të ardhurave të tyre, si paga për punëtorët, administratorët, administratorët e lartë. Ata marrin afërsisht 85% të të ardhurave të korporatave të mëdha të dikurshme. Facebook paguan më pak se 1%. Pra, e gjithë kjo pasuri, e gjithë kjo qira virtuale (cloud rent) merret nga ky rreth qarkullues i të ardhurave në SHBA, në Gjermani, në Francë, kudo. Që do të thotë se kërkesa agregate është shumë e ulët. Që do të thotë se sistemi është më i paqëndrueshëm në veriun global. Kjo paqëndrueshmëri nxit tendencën për të bërë dy gjëra. E bën Bankën Qendrore të prodhojë më shumë para me qëllimin për të zëvendësuar kërkesën agregate të humbur, dhe imperializmi, gjetja e tregjeve e më shumë tregjeve të tjera. Kjo është forca e parë. Kjo është arsyeja që tekno-feudalizmi nuk është i mirë për paqen gjeostrategjike, por është një kërcënim shumë, shumë i madh për paqen ndërkombëtare. Pra, hipoteza ime në libër është se lufta e re e ftohtë ndërmjet SHBA-së dhe Kinës vjen ngaqë kemi një përplasje të madhe ndërmjet dy çifligjeve të përbëra nga kapitali virtual, ai amerikan dhe ai kinez. Lufta në Ukrainë i ka shkaktuar Arabisë Saudite, Indonezisë, Pakistanit, të cilat përdorin para në mënyra të ndryshme, shumë ankth në lidhje me çfarë do të ndodhë me dollarët e tyre, sepse panë që dollarët rusë mund të konfiskohen nga amerikanët dhe europianët. Epo, nëse je një saudit apo emiratas në Europë me një thes me para mendon me vete, ‘ok, kjo gjë s’duket shumë mirë sepse sot janë në konflikt me Putinin dhe njerëzit e tij, nesër do të jenë në konflikt me mua. Një zot e di ç’mund të ndodhë’. Pra, në një masë jo të madhe, shohim një rritje të pagesave globale që po zhvendosen drejt sistemit kinez të pagesave, sistemit digjital të pagesave, edhe atij WeChat Pay, edhe atij të Bankës Qendrore. Ky është një rrezik i vërtetë për SHBA-në dhe Gjermaninë, sepse e vetmja arsye pse SHBA-të ruajnë hegjemoninë, duke ditur se bilancet e tyre janë në të kuqe, gjithnjë e më shumë që nga viti 1971 janë në të kuqe, në kuptimin që kanë një deficit tregtar dhe një deficit buxhetor, dhe arsyeja e vetme që ata po i kombinojnë këto deficite me hegjemoninë në rritje është sepse të gjithë përdorin sistemin e dollarëve. Pra, nëse kapitali virtual dhe financat virtuale kineze së bashku përbëjnë një alternativë ndaj sistemit të pagesave me dollar, kjo përbën një rrezik shumë të madh, rrezik të qartë dhe aktual për SHBA-të. Dhe kjo për mua e shpjegon luftën e re të ftohtë ndërmjet SHBA-ve dhe Kinës.

Ditmir Bushati: Në të kaluarën, kapitalizmi është kufizuar nga qeveritë social-demokrate. A mendoni se mund të ndodhë diçka e ngjashme me tekno-feudalizmin, nga forcat progresiste apo forcat social-demokrate, megjithëse më duhet ta pranoj se social-demokracia është në tërheqje disi?

Yanis Varoufakis: Kam frikë se kam lajme vërtet të këqija për social-demokratët apo për ata njerëz që i besojnë social-demokracisë. Ajo nuk ekziston më. Ashtu siç nuk ekziston më individi liberal, edhe ëndrra e social-demokracisë s’ekziston më. Prej shumë kohësh nuk ekziston më. Më lejoni t’i kujtoj audiencës se cila ishte epoka e artë e social-demokracisë. Për mua ishte periudha kur Willy Brandt në Gjermaninë Perëndimore, Bruno Kreisky në Austri, Partia e Laburistëve nën drejtimin e Harold Wilson në Mbretërinë e Bashkuar, në fillimin e François Mitterrand në Francë, Andreas Papandreou në Greqi, ata e panë rolin e tyre si politikanë që do të mblidhnin rreth një tryeze, përfaqësuesit e punonjësve, sindikatat, nga njëra anë, dhe përfaqësuesit e industrisë në anën tjetër, dhe do të bënin marrëveshje ndërmjet tyre. Dhe marrëveshja do të ishte se një pjesë e fitimeve të industrialistëve do t’i shkonte shtetit për financimin e shkollave, universiteteve, spitaleve, sigurimeve shoqërore, pensioneve e kështu me radhë, dhe një pjesë tjetër do të shkonte për punëtorët për përmirësimin e situatës së tyre për sa u takon kushteve. Dhe këtë bënë. Ishte në fakt një social-demokraci e civilizuar, ishte një forcë civilizimi. Por, pas Bretton Woods-it të vitit 1971 kemi çlirimin e bankierëve nga të gjitha kufizimet që ishin vënë mbi ta pas kolapsit të vitit 1929, sipas marrëveshjes së re, në SHBA dhe sistemit Bretton Woods që vendoste shumë kufizime mbi bankierët ndërmjet viteve 1944-1971. Pra, bankierët u çliruan dhe erdhi financializimi. Pati një zhvendosje shumë të madhe të pushtetit nga sfera e industrisë tek sfera financiare. Njëherë e një kohë, në vitet 1960, sikur të ishe drejtuesi i Siemens në Gjermani apo Krupp-it, do të ishe pronari i universit. Pas viteve 1970, ishe pronari i universit nëse do të kontrolloje J.P. Morgan apo Goldman Sachs apo Deutsche Bank. Dhe po të ishe një industrialist, pushteti yt po reduktohej, pushteti social, ekonomik dhe politik. Po të ishe bankier, pushteti rritej. Pra, në këtë pikë, u bë e pamundur, edhe për kancelarët, presidentët, kryeministrat social-demokratë dashamirës të bënin të njëjtën gjë që bënë Willy Brandt, Bruno Kreisky dhe të tjerët, bashkimin në një sallë të industrisë dhe sindikatave për të arritur marrëveshje. Dhe kjo sepse pushteti nuk ishte më tek industrialistët, sepse shumë prej pushtetit të tyre i kishte kaluar financierëve. Si mund të bëje bashkë përfaqësuesin e Goldman Sachs, që gjithsesi amerikan është, me sindikatat e Volkswagen-it? Thjeshtë ishte e pamundur. Pra, në vend të asaj “marrëveshjeje të re” social-demokrate, njerëz si Gerhard Schröder, social-demokrat dhe kancelari i Gjermanisë, Tony Blair, qeveria e dytë e François Mitterrand, dhe qeveria e dytë e Andreas Papandreou, bënë marrëveshje me financierët. Marrëveshja ishte vërtetë shumë e thjeshtë. Sindikatat ishin jashtë loje, s’ishin në sallë, dhe marrëveshja ishte ndërmjet qeverisë social-demokrate dhe financierëve, dhe ishte shumë e thjeshtë. Financierët kërkuan që t’iu lejohej të bënin si të dëshironin, pa kufizime fare. Donin të bënin piramida të larta me CDO (detyrime borxhi të siguruara me kolateral) dhe CDS (këmbime të mospagimit të kredisë) dhe kështu me radhë të gjitha instrumentet toksike u lejuan. Në shkëmbim, një pjesë e vogël e pjesëmarrësve në tryezë, një pjesë e vogël e atyre qirave të mëdha financiare që u grumbulluan me anë spekulimesh e spekulimesh e spekulimesh do t’i shkonte shtetit. Dhe në fakt kur e mendon Tony Blair që e la Cty-n e Londrës të çmendej fare, në fakt i la financierët të “vrisnin njëri-tjetrin”, por edhe mori mjaft para nga ata, ndërkohë që gjithçka shkonte mirë, për të financuar shërbimin kombëtar shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar, që është një politikë disi social-demokrate, e financuar nga të ardhurat e fitimet e financave që u ndërtuan në ajër të nxehtë. Kur ajri i nxehtë shpërtheu, pra siç e dini, sektori financiar pësoi kolaps në vitin 2008, social-demokratët që ishin në qeveri nuk ishin më në gjendje, nuk kishin as mprehtësinë analitike, e as fuqinë morale për t’u thënë bankierëve, ‘ok, ju e djallosët, largohuni nga skena, ne do t’i shtetëzojmë bankat, do t’i shpëtojmë, por ju jeni jashtë skene’. Në vend të kësaj ata aplikuan masa shtrënguese të mëdha dhe printuan para për t’ua dhënë bankierëve. Dhe ky është fundi i social-demokracisë. Sot kemi një ndryshim tjetër. E kujtoni sesi u zhvendos pushteti nga industrialistët tek financierët, dhe tani po zhvendoset tek kapitali virtual. Si mundet Jeff Bezos dhe sindikatat të ulen në të njëjtën tryezë? Është edhe më absurde ta imagjinosh këtë sesa Goldman Sachs dhe sindikatat. Pra, ideja që do të kemi rregullime, si mundet të ketë rregullim për pronarët e algoritmeve, kur algoritmet nuk kuptohen as nga njerëzit që në fakt i krijuan ato? Është e njëjta gjë si me CDO-t, (detyrime borxhi të siguruara me kolateral) në kohën kur Lehman Brothers dhe J.P. Morgan i krijuan këto instrumente financiare shumë të komplikuara. Njerëzit, matematikanët që i krijuan këto instrumente, ashtu siç i quajti dikur edhe Warren Buffet “armë financiare të shkatërrimit në masë”, ata nuk i kuptonin sesi funksiononin, nuk kuptonin gjërat që po krijonin. E di, është si një Zot që krijon një krijesë dhe nuk e kupton se çfarë ka krijuar, si Frankenstein, njësoj dhe njerëzit që krijuan kapitalin virtual (cloudalist), nuk e kuptojnë atë. Pra, si mundet shteti të rregullojë një algoritëm që dhe njerëzit që e krijuan nuk e kuptojnë atë, pa mendojeni pak. Njerëzit që krijuan ChatGPT4 dhe tani ChatGPT5, ata e dinë sesi e bënë, por nuk kanë asnjë ide sesi aplikacioni nxjerr përgjigjet që të jep kur ia kërkon ato. Pra, njerëzit që e krijuan nuk e kuptojnë atë. Si mundet qeveria ta rregullojë këtë? Pastaj është dhe çështja e taksimit, që është e padobishme tashmë, se nuk mund të vendosësh taksa. Siç mund ta dini, Jeff Bezos i Amazon vjet siguroi 44 miliardë euro fitime vetëm në Europë dhe pagoi zero taksa, sepse financierët e tij janë shumë të zotë për të fshehur të gjitha fitimet si kosto. Pra, s’mund të bëhet asgjë për këtë. Ndoshta, mund të vendoset një taksë digjitale në pikën e shitjes si përqindje e të ardhurave, por prapëseprapë kjo nuk e ndalon pushtetin e pamasë të kapitalit virtual për të modifikuar sjelljen tënde apo timen. Për të mos u zgjatur shumë, mendoj se është një hakmarrje ndaj të majtës së mposhtur, e të majtës marksiste të mposhtur, sepse tashmë mund të provojmë, pa asnjë dyshim të arsyeshëm, se e vetmja mënyrë që mund të rimarrim madje edhe lirinë liberale është duke socializuar algoritmet, mjetet e modifikimit të sjelljes, atë pjesë të kapitalit që modifikon sjelljen. Tani, sesi do ta bëjmë këtë, është një pyetje shumë e madhe, por unë këmbëngul se asgjë nuk do të na kthejë në kapacitetin për të qenë në kontroll të të menduarit, të dëshirave tona, dhe sidomos mënyrën sesi jetojmë dhe komunikojmë me njëri-tjetrin.

Ditmir Bushati: Yanis, babai ju ka treguar se çdo gjë që ka rëndësi në jetë është e mbarsur me të kundërtën. Do të doja mendimin tënd në lidhje me inteligjencën artificiale vështruar në këtë drejtim? Pra, nga këndvështrimi i babait tuaj, si do ta shikonit inteligjencën artificiale sot përsa i takon krijimit të pasurisë, përsa i takon inovacionit?

Yanis Varoufakis: Inteligjenca Artificiale është një tjetër triumf i shpirtit njerëzor. Në të njëjtën mënyrë si mijëra vjet më parë mësuam të prodhonim çelikun nga hekuri, arritëm të zbusim kafshët madje edhe më përpara në kohë apo të kultivonim të mbjellat. Këto të gjitha janë akte heroike teknologjike, triumfe teknologjike të mendjes njerëzore, por si çdo triumf teknologjik, në vend që të na çlirojë, në vend që ta kthejë teknologjinë në shërbëtorin tonë, bëhemi ne shërbëtorë të teknologjisë. Dhe kjo është kthesa dialektike. E njëjta gjë vlen edhe për inteligjencën artificiale. Është e mrekullueshme. Në fakt, e dua shumë inteligjencën artificiale, kur luaj me përkthimin e aplikacioneve të saj apo GPT4. Jam vërtet i entuziazmuar që jam duke jetuar kohën e inteligjencës artificiale, kur dëgjova se inteligjenca artificiale ka ndihmuar shkencëtarët në kompanitë farmaceutike dhe në laboratorët universitarë të krijojnë antibiotikë që vrasin super-bakteret që nuk i vret dot asnjë antibiotik i krijuar nga njeriu dhe të shpëtojë jetë njerëzore. Jam shumë përkrah saj. Por si gjithmonë kur është fjala për teknologjinë, çështja është se kush e ka në pronësi atë, sepse, e dini, është si një bombë atomike apo teknologji atomike. Kush e ka në pronësi teknologjinë atomike dhe për çfarë po e përdorin? Nëse po e përdorin për të krijuar radio-izotope për shërimin e kancerit për të siguruar që shumica e njerëzve t’i mbijetojnë kancerit, kjo është një gjë fantastike, por nëse e përdorin për të ndërtuar një bombë atomike për të na hedhur në erë, kjo nuk është gjë e mirë. Pra, më shqetësojnë të drejtat e pronësisë. Kush e ka në pronësi këtë dreq gjëje? Rreziku i madh i inteligjencës artificiale sot është se duhet kapitali virtual, sepse ne e kemi pasur inteligjencën artificiale, nuk është e re, si për shembull Google, Zoom, nëpërmjet të cilës po flasim sot, të gjitha drejtohen nga inteligjenca artificiale. Po të shohësh në fund të ekranit tonë ka një aplikacion të inteligjencës artificiale që mund të përdoret për të bërë përmbledhjen e asaj çka po bisedojmë ne të dy. Pra, e kemi pasur këtu, nuk është se na ndodhi tani. Ajo që është e qartë se në kuadër të të drejtave aktuale pronësore për strukturën dhe shpërndarjen e këtyre makinave apo teknologjive do të kemi një varfëri shumë, shumë më të thellë për shumicën, një pabarazi edhe më të madhe. Do të jetë teknologjia e parë që do të shkatërrojë më shumë vende pune sesa do të krijojë, sepse tani po sulmon jo vetëm punën e punëtorëve por edhe punën e intelektualëve. Juristët do ta humbasin punën, dhe aktualisht po e humbasin. Doktorët do ta humbasin punën. Sigurisht do të kemi vende të reja pune, por vendet e punës që do të eliminohen do të jenë më të shumta sesa vendet e punës që do të krijohen, dhe kjo për herë të parë në historinë e ndryshimeve teknologjike. Dhe pjesa më e keqe e gjithë kësaj është se bashkëbisedimi ynë do të helmohet tërësisht kur algoritmet e inteligjencës artificiale do të jenë në pronësi të njerëzve me interesa për t’i helmuar ato. Siç e dini, i kemi tashmë imazhet e rreme “Deepfake”, nuk do jemi në gjendje të mbështetemi, nuk do të jemi në gjendje të dimë se çfarë të besojmë dhe çfarë të mos besojmë. Pra, për shembull, një kopje e jotja do të shfaqet duke folur për një çështje që ti e përçmon dhe do të jetë shumë e vështirë për audiencën tënde të dijë nëse je vërtet ti apo një imazh i rremë i yti. Dhe kur teknologjia t’u përkasë njerëzve me interesin për të helmuar bashkëbisedimin, sepse kanë një interes në pengimin e politikave progresive që kundërshtojnë të drejtat e tyre pronësore për kapitalin virtual, atëherë, dua të them se programi apo podcasti yt quhet “Public Square”, por s’do të ketë më “Public Square”.

Ditmir Bushati: Po të flasim për produktivitetin, pabarazinë dhe teknologjinë, ju e dini se mendimtarët dhe ekonomistët e majtë përkrahin modele ekonomike që bazohen tek produktiviteti i lartë, një sistem arsimor shumë i mire. Ndërkohë të dy vendet tona në pjesën jugore të Europës janë ekonomi të bazuara tek turizmi. Cilat do të ishin sugjerimet tuaja, si mund të arrijmë një balancë ndërmjet produktivitetit të lartë dhe teknologjisë?

Yanis Varoufakis: Produktiviteti është nocion shumë i çuditshëm. Në kuptimin që ka dy mënyra për të rritur produktivitetin. Njëra është të kesh më shumë prodhim nga përpjekje apo punë të caktuara, punë njerëzore, dhe tjetra është thjesht ta shkatërrosh punën dhe për aq koha sa krahë pune mbetet, ajo prodhon pak, dhe pastaj raporti prodhim-punë rritet. Pra, në kohën e Margaret Thatcher në Mbretërinë e Bashkuar kur papunësia u rrit nga 750.000 në 4.500.000, produktiviteti u rrit, sepse shumë njerëz humbën punën, por prodhimi nuk ra po aq shpejt, dhe kjo e rriti produktivitetin. Ky nuk është përfitim i madh. Nuk është ndonjë avantazh për shoqërinë.

Përsa u takon vendeve tona. Shiko, vendet tona, kur flasim si grekë apo si shqiptarë, serbë, maqedonas, cilido prej nesh, vendet tona janë në një proces “shkretëtirëzimi”. Po bëhemi shkretëtira. Po humbasim njerëzit, mendjet e reja që kanë vlerë floriri apo platini. Ata po migrojnë. Vendet tona po kthehen në fusha loje nga Veriu Global. Do të përfundojmë me asgjë më tepër sesa me hotele me pesë yje, klinika me pesë yje për të moshuarit, shtëpi të moshuarish në mënyrë që gjermanët, suedezët dhe norvegjezët të vijnë të kalojnë vitet e tyre të fundit në një klimë më të mirë, ndërkohë që ne bëhemi pak si Hawaii. Mos shkoni në Hawaii, nëse s’keni qenë, por nëse shkoni do të shihni një ishull të madh, do të shihni vende të bukura.

Ditmir Bushati: Mendova se do të thoshit që ngjasojmë pak me Kaliforninë (California) apo me Silicon Valley…

Yanis Varoufakis: Pak si Hawaii sepse ne jemi pak si vendasit e Hawaii-t. Ata po i zhvendosin gjithnjë e më shumë, po i zhvendosin nga bregdeti, që është plot me hotele me pesë yje. Vendasit jetojnë në qendër të ishullit, në lagje të varfëra. Në orën gjashtë të mëngjesit, furgonët shkojnë në fshatra, në lagjet e tyre, i marrin e i çojnë tek hotelet me pesë yje, ku turistët japonezë, gjermanë, amerikanë, në këto hotele në pronësi të japonezëve, amerikanëve dhe gjermanëve, kalojnë një kohë të mrekullueshme, dhe vendasit shkojnë aty për të pastruar banjat, gatuar ushqimin, kënduar këngë vendase dhe luajtur në kitarrë dhe pastaj i kthejnë në lagjet e tyre të varfëra. Kjo është ajo që po i ndodh Ballkanit. Kjo është ajo që po na ndodh neve, sepse nuk ka asnjë investim për inteligjencën artificiale, nuk ka asnjë investim për teknologjinë e gjelbër, nuk ka asnjë investim. Dhe çdo inteligjencë artificiale që po përdoret, po përdoret për të shterruar më tej çdo punë me cilësi që kemi.

Ditmir Bushati: Pyetja ime e fundit ka lidhje me Europën. Keni shkruar se fundmi një artikull për Jacques Delors dhe Wolfgang Schauble, të cilin e kuptova si dy vizione konkuruese të euro-s por edhe të modelit ekonomiko-politik të Europës që në një farë mënyre projektohet dhe reflektohet në pjesën jugore të Europës. Cila do të ishte këshilla juaj për udhëheqësit e Bashkimit Europian apo të vendeve tona respektive, sesi të organizojnë procesin e integrimit europian me qëllimin për të përshpejtuar konvergjencën e vendeve tona me mesataren e Bashkimit Europian? Unë e di se ju keni qenë shumë kritik në lidhje me këtë pikë dhe dua vërtet të dëgjoj analizën tuaj për këtë.

Yanis Varoufakis: Do të doja të ma kishit bërë këtë pyetje pesë vjet më parë, përpara zgjedhjeve parlamentare europiane të vitit 2019, ku kandidova në Gjermani për të theksuar një ide, që kjo duhet të jetë luftë politike në rrafshin europian dhe jo luftë politike në rrafshin kombëtar, sepse pesë vjet më parë isha shumë më optimist. Pesë vjet më parë kisha një përgjigje entuziaste për pyetjen tënde. Përgjigjja ime në atë kohë ishte se ne duhet të mësojmë nga kriza në zonën euro. Duhet të mësojmë se nuk mund të kesh një Bashkim Monetar po nuk pate një Bashkim Fiskal, pa pasur një politikë investimi të përbashkët, që nuk varet nga buxhetet e veçanta të shteteve kombe. Ne si Lëvizje DiEM25 (Lëvizja Demokracia në Europë 2025) kandiduam në shtatë a tetë vende me marrëveshjen e re të gjelbër për Europën, me të cilën parashtronim përgjigjen e pyetjes tënde si për shembull, ne s’mund të kemi tani federatë sepse është shumë jorealiste, por mund ta simulojmë federatën duke pasur Bankën Qendrore Europiane që mbështet lëshimin e shumë obligacioneve nga Banka Europiane e Investimeve, që më pas mund të bëhet 500 miliardë në vit, që më pas shkon në një fond të përbashkët për tu shpenzuar dhe investuar në të gjithë Europën. Si mund ta fillojmë procesin e asamblesë kushtetuese duke menduar për federatën, duke menduar për Kushtetutën europiane? Këto janë gjërat që parashtronim në vitin 2019 përpara zgjedhjeve parlamentare europiane të majit të 2019-s. Që nga ajo kohë, duhet të jem i ndershëm me ty, mendoj se kjo është diçka e bukur që zor se realizohet. Europës i ka ikur anija ose treni ose mundësia. Nuk mundem më, edhe pse mendoj se këto gjëra do të funksiononin, nuk shoh asnjë proces politik që është në gjendje t’i bëjë të funksionojnë këto gjëra më. Dhe arsyeja është Pandemia. Sepse Pandemia na provoi se Europa mund të bëjë shumë, nëse dëshiron. Jo vetëm Europa por edhe Mbretëria e Bashkuar, SHBA-të. Kujtoj kur na thoshin neo-liberalët se, ‘shteti ka mbaruar, është shumë i kufizuar nga ana fiskale, nuk ka shumë mundësi për shkak të borxheve, thjesht lërjani tregut në dorë’. Dhe pastaj erdhi Pandemia, erdhi izolimi, patëm kolaps të plotë të prodhimit, sigurisht për shpëtuar jetët e njerëzve, nuk po kritikoj, thjesht po përshkruaj, dhe pastaj ndërhyn shteti dhe zëvendëson të gjitha pagat, menjëherë, riprinton triliona dhe gjithçka ishte mirë. Pra, provuan se mund ta realizojnë. Pema e parave është aty. Mund ta përdorin nëse duan, por në Europë e përdorën në mënyrë të gabuar. Krijuan brezin e ardhshëm të BE-së, të ashtuquajturin “Fondin e Rimëkëmbjes” nga Koronavirusi, i cili ishte një shpërdorim i mundësive, sepse ishte një lloj financimi që unë e parashikoja përpara vitit 2019, si fond i gjelbër për një investim të gjelbër dhe në veçanti për energjinë e gjelbër. Atëkohë, në fakt e thosha, është mënyra për t’u shkëputur nga Gazprom dhe Vladimir Putin, sikur të krijonim të gjithë atë energji të gjelbër nëpërmjet një investimi 500 miliardë në vit, për çdo vit. Por kjo nuk ndodhi. Në vend të saj ata krijuan Fondin e Rimëkëmbjes që është korrupsion i institucionalizuar, kështu është, një korrupsion i institucionalizuar. Pra, ata morën qindra miliardë euro, që i huazuan nga tregjet, nga tregjet financiare, gjë e cila në vetvete nuk është gjë e keqe. Ata mund t’i merrnin fondet nga Banka Qendrore Europiane në vend që të blinin borxhin grek për shembull, gjë e cila është qesharake, duke ditur gjendjen e shtetit grek. Por gjithsesi, ata i huazuan ato qindra miliardë. Dhe çfarë bënë me to? Ata u ulën rreth një tryeze dhe thanë Italia merr njëqind miliardë, Greqia merr dyzet miliardë, Spanja merr tetëdhjetë miliardë. Dhe kush i mori këto para në vendet respektive? Oligarkët. Pra, në thelb, kjo mund të tingëllojë çuditshëm e thënë nga një grek, ishte Bashkimi Europian që shton borxhe mbi shpatullat e punëtorit gjerman, sepse punëtori gjerman i paguan taksat jo i pasuri, të pasurit nuk paguajnë taksa, sepse kanë avokatë dhe financierë shumë të zotë, nuk paguajnë asgjë. Pra, punëtorit gjerman iu desh të huazonte para në emër të oligarkëve grekë. Dhe këtë duhet ta themi për të kuptuar se kjo është recetë për të shkatërruar mundësinë e një Bashkimi Europian siç duhet të jetë, sepse kjo i kthen gjermanët kundër Bashkimit Europian, që nuk duan të dëgjojnë për federatën, që nuk duan të dëgjojnë për konsolidimin, një bashkim fiskal, sepse sa herë dëgjojnë fjalët “Më shumë Europë” (More Europe), ata imagjinojnë më shumë taksa për mua që të paguhen oligarkët italianë dhe grekë. Kështu që kam frikë se Europa nuk është më. Mendoj se ky Bashkim Europian ka marrë fund. Nuk kam më shpresa për këtë Bashkim Europian. Dhe mund ta shohësh këtë. Mund ta shohësh me Ukrainën. Bashkimi Europian e ka lobotomizuar veten. Ne nuk kemi më opinion për asgjë. Çfarëdo që na thotë Washingtoni të themi, ne e themi. Dhe kaq.

Ditmir Bushati: Faleminderit!

Yanis Varoufakis: Asgjë! Të lutem!

Ditmir Bushati: Ishte kënaqësi t’iu dëgjoja e bisedoja me ju!

Yanis Varoufakis: Faleminderit! Mezi po pres ta shoh.

Marrë nga kanali you tube i Ditmir Bushatit “Public Square”/Lapsi./al

tipit Amazon.com, Alibaba, Uber apo AirBnb.

Marrë nga kanali you tube i Ditmir Bushatit “Public Square

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME